“Cila është ajo kallëzim penal ndaj funksionarëve të BDI-së që ka mbërritur në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por nuk është proceduar? Kë nga BDI-ja kam mbrojtur unë?” Me këto kundërpyetje u përgjigj shefi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, ndaj pyetjes së gazetarit nëse e konsideron dështim faktin që mandatin e tij, i cili përfundon në nëntor, do ta mbyllë pa asnjë aktakuzë ndaj ndonjë funksionari të BDI-së, duke pasur parasysh se mandati i tij nisi me publikimin e fotografive me drejtuesit e BDI-së ose me persona të afërt me ta.
Lënda për “Soravia”, të cilën Prokuroria e hapi me iniciativë të vet pas informacioneve të marra, ku i dyshuar është Drin Ahmedi, nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, prej vitesh ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Ahmedi, së bashku me një kompani nga Shqipëria, u bënë pronarë të qendrës afariste pa investuar para të tyre, duke përdorur një kredi bankare. Ndërkohë, për “Soravian” është hapur edhe procedurë falimentimi, ndërsa Ahmedi është tërhequr nga kompania që zotëronte pjesë në këtë qendër.
Siç tha Abazi, ky rast është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe Prokuroria ka pritur përgjigje ndaj një kërkese për ndihmë juridike ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas marrjes së përgjigjes, prokurori do të vlerësojë nëse do të merret një vendim prokurorial apo do të kërkohen të dhëna shtesë. Edhe për hetimet paraprake, që zgjasin prej kohësh, lidhur me mbikëqyrjen e projektit “Bechtel & Enka”, Prokuroria kishte dhënë urdhër për veprim ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndërsa Ministria, sipas tij, ka vepruar në mënyrë intensive.Lëndët janë voluminoze dhe komplekse, tha Abazi.


