Gjurmë biologjike të gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, janë gjetur në mbështjellëset prej letre alumini ku ishin fshehur 350 mijë euro, u tha gjatë seancës së fundit gjyqësore nga ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Ristov akuzohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Paratë ishin zbuluar të fshehura brenda murit të kuzhinës në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për 600 kartëmonedha me prerje prej 500 dhe 200 eurosh.
Ekspertët sqaruan para gjykatës se nga 13 mostra të marra për analizë, vetëm dy rezultuan të përshtatshme për ekzaminim. ADN-ja u krahasua me mostrat e Gjoko Ristovit dhe të prindërve të tij. Rezultatet, sipas ekspertizës, tregojnë se gjurmët biologjike i përkasin Ristovit dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar, i cili nuk ka lidhje familjare me të.
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva deklaroi se ekspertiza mbështet plotësisht versionin e Prokurorisë dhe se analiza e ADN-së është kryer sipas standardeve përkatëse.
Në anën tjetër, mbrojtja e kundërshtoi vlefshmërinë e provave. Avokati Zvonko Davidoviq argumentoi se mbështjellëset prej alumini nuk janë ruajtur sipas procedurave dhe se ekspertiza nuk është kryer mbi vetë kartëmonedhat. Ai ngriti dyshime edhe për faktin se provat biologjike janë analizuar rreth 80 ditë pasi paratë ishin dorëzuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.
Prokurorja i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si përpjekje për zvarritjen e procedurës. Sipas saj, gjurmët biologjike të identifikuara mbeten të vlefshme dhe lidhen me të akuzuarin, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes.
Seanca e radhës është caktuar për 14 korrik, kur pritet të dëshmojë edhe një ekspert tjetër i MPB-së, ndërsa Prokuroria do të vazhdojë me paraqitjen e provave.(INA)


