11 Dhjetor
Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë ndërprerë disa projekte të ELEM-it, si: Oborri i Parajsës në Komunën e Aerodromit, Garazhii në kate në Ohër, Qendra e Kongreseve në Ohër, Qendra për Skijim në Vodno dhe rrugica për Biçikleta në Kozjak. Përveç këtyre projekteve janë ndërprerë edhe disa projekte tjera nga fushat e turizmit. Megjithatë nuk precizohet saktësisht nëse me të njëjtin vendim është përfshirë edhe ndërprerja e punimeve rreth ndërtimit të teleferikut në Kodrën e Diellit. E kontaktuar nga Alsat, zëdhënësja e ELEM-it, Jasminka Anevska, ka theksuar se ndërtimet rreth teleferikut janë stopuar më vendim të Ministrisë së Ekologjisë.
Ndërtimi i teleferikut në Kodër të Diellit është ndaluar nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, sepse, nuk janë siguruar dokumentet e nevojshme për këtë projekt…Jemi në konsultim e sipër me inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe me Ministrinë për Transport për sigurimin e lejeve të nevojshme për ndërtim- thonë nga ELEM-i.
Nga ELEM nuk kanë komentuar as ofertën që javë më parë, iu bë nga ana e disa afaristëve të Kodrës së Diellit, të cilët ofruan ndihmë materiale për përfundimin e projektit në fjalë. Mbetën të heshtur edhe sa i përket dëmtimit të rrugicave të skiimit që janë shkatërruar gjatë realizimit të projektit të teleferikut, që filloi tre vite më parë, dhe i cili realizohet nga Leitner SPA nga Italia dhe konzorciumi DEKON nga Shkupi, me një kosto prej rreth 8 milion eurove. Ndërkohë që premtuan se së shpejti do të ketë riorganizim të të punësuarve në qendrën turistike të Kodrës së Diellit.
Sa i përket çështjes së riorganizimit të të punësuarve, në rrugë e kemi përgatitjen e sistematizimit të ri, i cili po bëhet pikërisht shkaku i kësaj shpërndarjeje jo të drejtë që ekzistonte mes punëtorëve të atjeshëm, ndërsa është zvarritur vite me radhë. Me sistematizimin e ri secili punëtor do ketë mundësinë e vendosjes në vendin e punës në pajtim me përgatitjen intelektuale që ka”, thuhet më tej në përgjigjen e ELEM-it.
Riorganizimi i të punësuarve në qendrën turistike të Kodrës së Diellit, vjen pas publikimit të lajmit në televizionin Alsat, për padrejtësitë që iu bëhen disa të punësuarve shqiptarë në këtë qendër turistike.
Bashkim Sulejmani

