
Alsat 2019-07-27T16:29:21+02:00
Komuna e Çairit llogaritet ndër komunat më problematike sa i takon vendeve për parkim. Kjo është edhe si rezultat i numrit të madh të banorëve që jetojnë në këtë komunë krahasuar me sipërfaqen që ka e njëjta. Në mungesë të parkingjeve, qytetarët lënë makinat kudo që gjejnë vend të lirë, madje edhe duke bllokuar trotuaret dedikuar këmbësorëve.
“Tash kanë filluar të kenë 2-3 makina në një shtëpi, shpresojmë që të rregullohet”.
“Gjithandej trotuaret janë të bllokuara.. Duhet të jenë të lira për fëmijët po edhe për ne të moshuarit”.
“Pengojnë, si nuk pengojnë. Më shumë gjatë ditës, në mbrëmje ka më pak”.
Shumë prej qytetarëve të anketuar në rrugë thonë se kaosi është dyfishuar për shkak të ndërtimeve të shumta të banesave pa parkingje.
“Zgjidhja duhet prej në fillim, atëherë kur ndërtohen banesat, duhet të jetë gati dhe jo pasi të përfundojnë”.
“Zgjidhja më e mirë sigurisht se garazhet por edhe njerëzit me qenë pak më të kujdesshëm. I parkojnë makinat kudo që mbërrijnë”.
“Gjithkund është problem. Me frikë parkohemi, u pengojmë edhe këmbësorëve edhe gjithë të tjerëve, po e shihni edhe vet”.
Nga komuna e Çairit thonë se ndërtimi i parkingjeve të paralajmëruara do të nis pas ndryshimeve të Planit detal urbanistik që tashmë gjendet në Qytetin e Shkupit.
Nga ana jonë teknikisht jemi të pajisur si komunë dhe do të shihet mënyra me shërbimin juridik se si në të ardhmen do të shkohet me partneritet publiko privat apo këtu do të intervenojë Qyteti i Shkupit nëpërmjet ndërmarrjes për parkingje. Bisedat e fundit kanë qenë që ndërmarrja në koordinim me Qytetin e Shkupit, nëse ndërmarrja nuk ka mjete për ti ndërtuar.. atëherë ne jemi të obliguar të kërkohet ndonjë investitor tjetër i cili do ta bëj investimin dhe do ta menaxhoj këtë parking, kështu që ajo shkon me marrëveshje private publike”, Visar Ganiu kryetar i komunës së Çairit.
Sipas Ganiut, lokacionet në të cilat janë paraparë parkingje ose garazhe në kate janë: Çairi i Vjetër, Çarshia e Vjetër, Ambulanca në Çair, kompleksi Çairçanja dhe rruga e Plastikave. Gjithashtu, Ganiu tha se vende parkimi do të sigurohen edhe mbi tregun e Bit Pazarit ku për momentin po zhvillohen punime ndërtimore,
Melihate Rustemi
Loading…



