26 Dhjetor
“Jemi në grevë për shkak të mos pagesës së pagave”. Njoftime të këtilla sot ishin vendosur në të gjitha dyert e dy objekteve të çerdhes “Borëbardha” në komunën e Çairit. Vendimi për grevë ishte i njëzëshëm nga të gjithë 75 të punësuarit në këtë institucion të cilët tashmë dy muaj janë pa paga. Në çerdhe sot ishin vetëm dy fëmijë. Drejtuesit e Sindikatës kërkojnë zgjidhjen e problemit duke përkujtuar se gjysma e të punësuarve kanë kredi dhe janë nëna vetushqyese.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë, kishte grevë për rritje të rrogës e shumë kërkesa tjera, ne kërkojmë vetëm atë themelore, pagesën e rrogës për muajin nëntor sa më shpejtë të është e mundur. Nëse na jepet ndonjë shenjë e mirë se do të rregullohet ne menjëherë do ta ndërpremë grevën ose e lëmë në heshtje në marrëveshje me personeli, kjo është e gjithë arsyeja. 08.38 Kur barku është I uritur koka nuk punon, vërtet këtu ishte fundi, të gjithë jemi me kredi, unë në organizatë kam 13 nëna vet ushqyese që varen nga kjo rrogë – deklaruan nga Sindikata.
Të shqetësuar për grevën e nisur janë edhe prindërit, disa prej të cilëve përveç çerdheve nuk kanë vend tjetër për të strehuar fëmijët.
“Siç po e shihni isha duke vrapu, e lashë punën erdha me marr vajzën e motrës, nuk është e përshtatshme, duhet të mirën masa të përmirësohet kjo gjendje se kështu nuk shkon, është keq edhe për fëmijët, është keq edhe për ne prindërit por më kë është për mësimdhënësit, përkëdhelëset”.
“Pse të vonohen rroga, ai që punon përse ti vonohet rroga. Cila është arsyeja nuk jam informuar. Çka do të bëjmë, me kë do të rrinë, ne do të kujdesemi deri pas vitit të ri”.
Nga Komuna e Çairit thonë se janë në njohuri të grevës mirëpo nuk mund të bëjnë asgjë për shkak mungesës së kryetarit të Këshillit komunal.
Komuna Çair
“Vendimet e miratuara nga ana e Këshillit të Komunës kanë plotfuqishmëri juridike vetëm pas nënshkrimit të Kryetarit të Këshillit bazuar në nenin 48 paragrafi 3 për obligimet e Kryetarit të Këshillit nga Ligji për vetëqeverisje lokale ku thuhet:”(3) Kryetari i Këshillit i nënshkruan dispozitat që i ka miratuar këshilli dhe në afat prej tre ditësh nga dita e sjelljes ia dorëzon kryetarit të komunës për publikim”.
Përveç, të punësuarve në çerdhen “Borëbardha”, pa paga janë edhe të punësuarit në çerdhen “Fidani” të cilët gjithashtu kanë paralajmëruar nisjen e grevës në rast se deri nesër nuk zgjidhet problemi.
Melihate Rustemi

