Të gjitha vendvotimet në të cilat Asociacioni qytetar MOST ka vëzhgues janë hapur. Vonesë është vërejtur në gjashtë vendvotime, ndërsa në pesë vendvotime vëzhguesit e MOST-it kanë regjistruar parregullsi më të vogla.
Asociacioni qytetar Most po i vëzhgon zgjedhjet e sotme lokale me më shumë se 2500 vëzhgues, prej te cilëve 2100 janë statikë. Sipas të dhënave që Most i ka nga ekipet e tij në detyrë, thuhet se deri më tani janë të hapura të gjitha vendvotimet.
Ndërkaq parregullsitë janë hasur që në momentet e para të votimit. Vendvotimet me numër 1565 , 1566, 1566/1, 1567 që gjenden në shkollën fillore Kiril dhe Metodij në fshatin Zletovë të komunës Probishtip si dhe Vendvotimi me numër 0887 në Komunën Qeshinovo-Oblesevo, janë hapur me 15 deri 20 minuta vonesë, për shkak të mënjanimit të materialit propagandues përreth vendvotimit.
Vendvotimi me numër 0249 në komunën Makedonski Brod është hapur me 30 minuta vonesë për shkak që këshilli zgjedhor është vonuar në rregullimin e vendvotimit. Parregullsi është vërejtur në vendvotimin 1860 në komunën e Strugës, ku në fillim të votimit Këshilli zgjedhor ka shqyer tre fletëvotime nga blloku së bashku me numrin serik me ç’rast votuesit i kanë vendosur në kutitë votuese.
Një fletëvotim është shqyer së bashku me numrin serik edhe në vendvotimin 0689, por ai është vendosur në zarf i cili ka qenë i mbyllur, ndërsa votuesit i është dhënë fletëvotim i ri. Është bërë edhe procesverbal për rastin.
Ndërprerje në votim prej gjysmë orë ka pasur në vendvotimin 1076 në Kumanovë për arsye se nuk ka punuar UV-llamba, ndërsa në vendvotimin 1117 në Likovë është vërejtur se ajo nuk përdoret në të gjitha rastet, dhe se Këshilli zgjedhor nuk ka reaguar.
Në vendvotimin 1859/1 në komunën Strugës një votues i ka fotografuar fletëvotimet, i ka vendosur në kutinë e votimit me ç’rast ka dalë nga vendvotimi.
MOST votimin e sotëm e ndjek me mbi 2.500 vëzhgues. Në vendvotimet janë sistemuar 2.100 vëzhgues të cilët mbulojnë rreth 50 për qind të të gjitha vendvotimeve në Maqedoni, si dhe 50 për qind nga vendvotimet në kuadër të çdo komune.

