Ish- prokurori i Prokurorisë Speciale dhe ish-prokurori për rastin “Veteranët”, Elez Blakaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të dënuar me nga një vit burgim 10 nga të akuzuarit dhe lirimin e dy nga të akuzuarit, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Blakaj përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë future duart në rast, mos të bëhen marak.
Sipas tij, Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim si dhe ka publikuar ligjin me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve.
“Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!
Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!”, ka shkruar Blakaj.
Shkrimi i plotë:
Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve!
Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!
Miq, ky më poshtë është ligji me të cilin është bërë kategorizimi i veteranëve të UÇK-së, për të cilin qëllimisht anëtarët e Komisionit Qeveritar dhe avokuesit e tyre kanë tentuar të manipulojnë opinionin publik.
Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261 – Përkufizimet
1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:
• 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.
• 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.
• 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.
• 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.
• 1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.
• 1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.
Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit!
Sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht!
Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës!
Miq, manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike, me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së.
Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky Komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë!