Të hënën pritet që Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkup 1 të sjell vendim nëse të akuzuarit për rastin “Monstra” do të lirohen nga paraburgimi. Njëri nga avokatët e këtij rasti, Naser Raufi, në një deklaratë për Televizionin SHENJA, shprehet i bindur se ky këshill të hënën do të vendosë që të akuzuarit të lirohen nga paraburgimi dhe të mbrohen në liri, apo t’u shqiptohen masa më të lehta. Raufi deklaron se sipas ligjit për procedurë penale, të akuzuarit duhet të lirohen nga paraburgimi.
Naser Raufi, Avokat
“Nesër patjetër do të sillet ky vendim, pasi janë në pytje masat e paraburgimit. Paraburgimi do të ndërpritet të hënën. Sipas ligjit për procedurë penale nuk mund të jenë akoma në paraburgim këto të akuzuar dhe nga liria do të mbrohen për këtë rast. Gjykata Themelore Shkupi 1, këshilli i këtij ligji do të sjell vendim, eventualisht ndoshta vendosin masa të tjera më të lehta, siç është të paraqiten njëherë në javë apo t’u merren pasaportat të akuzuarëve. Por, nuk vjen në konsiderim që mund të vazhdohet. Paraburgimi sigurish duhet me automatizëm këshilli penal tek Gjykata Themelore që të mos jetë më në fuqi”.
Ai më tej informon se seanca për këtë rast pritet që të caktohet në fund të muajit dhjetor apo në janar. Ai thotë se sipas ligjit për procedurë penale, duhet të jetë i njëjti këshill që e ka gjykuar këtë lëndë. Mirëpo, njëri nga gjykatësit nuk është më në këtë post dhe do të duhet të caktohet një gjykatës tjetër.
Naser Raufi, Avokat
“Dua të them se lënda tani fillon prej në fillim dhe ne si palë mbrojtëse do të insistojmë që, ajo puna që ishte më kruciale dhe më e rëndësishme prej palës mbrojtëse dhe prej të cilit faktikisht këto dy aktgjykime janë pafuqi, ajo është momenti që provat që i propozoi prokuroria asnjëherë nuk janë parë nga pala e të akuzuarëve dhe avokatëve. Dua të them që do të insistojmë që provat, që sipas ligjit na takon t’i shohim, të cilat prokuroria i ka cek por nuk i ka dhënë që t’i shohim dhe pastaj do të vazhdojmë me provat tona që do t’i propozojmë për këtë lëndë, këto provat tona janë si materiale ashtu edhe verbale”.
Të premten e kaluar, Gjykata Supreme solli vendim që lënda e rastit “Monstra” të rikthehet për rigjykim në Gjykatën Themelore. Kërkesën për rikthimin e lëndës e ka bërë Prokurorja Liljana Spasovska më 3 tetor, duke kritikuar ashpër vendimin e shkallës së parë dhe të dytë për këtë rast dhe duke siguruar se ka patur shumë hapësirë për korrigjim të vendimit. /Teuta Buçi

