VMRO DPMNE-ja opozitare akoma nuk e ka ndarë mendjen se çfarë qasje do të ketë ndaj reformave të planifikuara të Planit 3-6-9. Deputeti, Ilija Dimovski thotë për Alsat se kjo parti do ta shqyrtojë kërkesën që sipas tyre, shumë vonë ua ka adresuar Qeveria për t’i informuar me reformat e planifikuara. Ata do ta mbështesin Qeverinë vetëm nëse do t’i përfshijë në hartimin e strategjive dhe teksteve të propozim-ligjeve para se ata të diskutohen në Qeveri.
Presim që në periudhën e përgatitjes së teksteve të konsultohemi dhe të pranohen vërejtjet tona. Nëse thirrjet për bashkëpunim dhe aktivitetet e tyre kanë për qëllim të krijojnë fotografi para opinionit ose para bashkësisë ndërkombëtare, por nuk kanë asnjë përmbajtje atëherë nuk u jemi të nevojshëm. Nëse na kërkojnë vetëm për ligjet që miratohen me shumicë prej 2/3 e nuk na kërkojnë për ligje që mund t’i kalojnë në Kuvend me shumicë të thjeshtë ose absolute, poashtu atëherë nuk jemi të nevojshëm. Nëse ky raport bazohet në mirëkuptim korrekt dhe debat përmbajtësor të argumentuar, absolutisht gjithçka që është në drejtim të afrimit më të shpejtë të Maqedonisë me BE-në dhe NATO-n, ne si deputetë jemi të gatshëm të ndihmojmë me përvojën tonë që e kemi nga e kaluara, me ide të mira, ide cilësore, me propozime cilësore- deklaroi Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Ditë më parë zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se po bëhen përpjekje që propozim-ligjet t’i jepen opozitës për konsultime.
Kam kontaktuar edhe me përfaqësues të VMRO DPMNE-së me kërkesë që t’i informoj për Planin 3-6-9 dhe që të kërkoj të përfshihen. Grupi ministror që është përgjegjës dhe mblidhet shpesh për Planin 3-6-9 ka sjellë vendim që secili qysh para se të debatohet në Qeveri t’i jepet opozitës dhe grupit parlamentar të opozitës, me qëllim që të arrijmë konsensus për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Planin 3-6-9- deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian shumë herë kanë porositur Qeverinë që në realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, të përfshihet edhe opozita dhe sektori civil. Një numër i madh i ndryshimeve normative të planifikuara me Planin 3-6-9 nuk mund të bëhen pa votat e opozitës për shkak se kërkojnë shumicën absolute, ose 81 vota në Kuvend.
/Anesa Salihu

