Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave Lupço Nikollovski sot do të mbajë fjalim në takimin ministror në Bërdo afër Kranjës, Slloveni, i cili mbahet në suaza të Forumit të 12-të për bashkëpunim agro-tregti dhe ekonomik mes vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe RP e Kinës. Siç kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave (MBPEU), siguria e ushqimit, tejkalimi i barrierave jotarifore dhe rritja e tregtisë me prodhime bujqësore dhe ushqimore, janë vetëm disa prej temave të takimit. Ministrat e Bujqësisë nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe nga RP e Kinës do ta promovojnë nismën “16+1” në të cilën është e përfshirë edhe Republika e Maqedonisë. Qëllimi është përforcimi i këmbimit bilateral dhe multilateral, si dhe dhënia e përgjigjes së përbashkët në sfidat kryesore për zhvillim të mëtejmë të tregtisë me prodhimet bujqësore mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Forumi organizohet në suaza të Panairit të 55-të për ushqim dhe bujqësi “AGRA FAIR 2017” që mbahet në Radgonën e Epërme, Slloveni. Këtë vit në fokus është thellimi i bashkëpunimit në hulumtimin e zhvillimit, si dhe këmbimin e praktikave të mira bujqësore për bujqësi të qëndrueshme dhe industri përpunuese. Vendet pjesëmarrëse do t’i kumtojnë planet e tyre për aktivitete të përbashkëta në nivel kombëtar dhe internacional për tregti globale korrekte dhe transparente, si dhe për funksionim më të mirë të zinxhirit për furnizim me ushqim. Të shtunën, ministri Nikollovski do ta vizitojë “AGRA FAIR 2017” në Radgonën e Epërme. Ky panair është një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit për ushqim dhe bujqësi në Evropën Qendrore. Pritet të prezantohen më shumë se 1.700 ekspozues prej 30 shteteve në botë. Vend partner është Kina. Në suaza të Panairit është planifikuar ministri Nikollovski të realizojë takim edhe me përfaqësues të lartë qeveritarë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
(mia.mk)

