Mbi 2600 policë janë të angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe rendin gjatë ndeshjes Real Madrid- Mançester United që do të zhvillohet sonte me fillim prej orës 20:45 në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet që organizimi i ndeshjes të kalojë sa më mirë. Policë do të ketë edhe në rajonin rreth stadiumit si dhe fan-zonat ku po qëndrojnë pjesa më e madhe e tifozëve të dy klubeve.
MPB
“Sipas instruksioneve të UEFA-s, në stadiumin mund të futen vetëm flamujt e klubeve të Realit dhe Mançesterit si dhe shteteve të këtyre klubeve, pra Spanjës dhe Aglisë”
Po ashtu, nga MPB kanë bërë apel për ata që posedojnë biletë për të shikuar ndeshjen, që të vijnë më herët në stadium.
Ata kanë paralajmëruar kontrolle rigoroze dhe nuk do të jetë e lejuar futja e “parave të hekurta, shisheve, shkrepzave si dhe mjeteve tjera të forta.
Përpos kësaj, MPB ka njoftuar se ka arrestuar një person i cili ka tentuar të shes bileta për ndeshjen. Ai ka reklamuar biletat në internet dhe ka kërkuar 600 euro për të njëjtat.
Përpos tij, policia ka arrestuar edhe dy persona tjerë të cilit kanë shitur rekuizite të Realit të Madridit dhe Mançester Unitedit në mënyrë të pautorizuar.
Po ashtu, për shkak të ndeshjes është edhe regjim i posaçëm i komunikacionit dhe këmbësorëve për rrugët në afërsi të stadiumit. Deri në përfundim të ndeshjes në zonën e udhëkryqeve “Aminta Treti” (ish-“Leninova”) dhe “Jordan Haxhi Konstantinov-Xhinot” do të lëshohen persona dhe automjete të cilët kanë akreditim adekuat nga organizatori i ndeshjes -UEFA.
Varësisht prej intensitetit të komunikacionit, nuk përjashtohet mundësia e mbylljes për qarkullim edhe e bulevardit “Ilinden” në shtrirjen nga objekti i Qeverisë së RM-së e deri në udhëkryqin me rrugën “Ruzveltova”.
Përndryshe, nga mëngjesi kanë filluar të vijnë një numër i madh i tifozëve nga vendet fqinje. Policia i pret ata në pikëkalimet kufitare dhe i dërgon tek parkingjet të shënuara për të dyja klubet.
Enis Murtezi

