Orhan Murtezani
Ne si shqiptarë të Maqedonisë jemi mësuar shpesh që gjatë periudhës së zgjedhjeve të na kaplojnë emocione të shumta, të ndjehemi më patriotë e kombëtarë se kurrë, të bëhemi edhe më gjaknxehtë kundrejt palës maqedonase, t’i ripërsërisim tregimet edhe bëmat e mëdha të figurave emblematike të luftës e të ekzaltohemi në maksimum për nja dy javë.
Ndërkaq, për dallim nga ne, bota e qytetëruar këtë fazë e shfrytëzon për shpjegime të shumta deri në detaje të projekteve, flet për mënyrën si do realizohen ato, nëpër cilat faza do kalojë projekti, si dhe sa do ua lehtësojë jetën qytetarëve, atje ndiqen debate të shumta ndërmjet rivalëve politikë dhe ka konkurrencë idesh, projektesh dhe konceptesh.
Ngjarjet e ditëve të fundit në Komunën e Kërçovës, shkollat e së cilës kanë ngelur pa energji elektrike dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimor, është shembulli tipik i kësaj mendësie politike, që patriotizmin, heroizmin e mësallat për luftën, i shfrytëzon për të krijuar një ambient të rrejshëm patriotik, duke e mbuluar kështu paaftësinë dhe shterpësinë e vet. Pa hyrë në pazaret politike dhe faktin se fitorja e kësaj komune u përdor vetëm për përfitime shumë të ulëta politike, vlen të theksohet se ajo njashtu paraqet shembullin më tipik të paaftësisë dhe mungesës së një koncepti politik i cili gjeneron të mira për qytetarët. Tërë ai mobilizim i mërgatës dhe i vendasve, tërë ai patriotizëm me bateri me afat dyjavësh, sot është mbështjellë nga një zhgënjim dhe indinjatë shumë të madhe. Në rregull, shqiptarët e morën Komunën e Kërçovës, mirëpo nga kjo distancë kohore vlen të parashtrohen disa pyetje: a u kapitalizua kjo fitore në dobi të qytetarëve, si atyre shqiptarë ashtu edhe të tjerëve?; a u dëshmua që shqiptarët janë të aftë të qeverisin e të gjenerojnë komuna të zhvilluara me standarde bashkëkohore për jetë?; a u dëshmua se edhe shqiptarët kanë sens dhe qasje urbane ndaj qeverisjes dhe menaxhimit të problemeve lokale?; çfarë të mire u solli qytetarëve fakti që kryetari aktual i Komunës është shqiptar? Lista e pyetjeve është e pafund, mirëpo të gjitha këto pyetje nxjerrin në shesh cektësinë dhe qasjen tejmase joserioze të kësaj kaste politike ndaj perceptimit të politikës si art i të mundshmes.
Këto janë arsyet që efektet e keqqeverisjes dhe të paaftësisë për të qeverisur i shohim gjithandej përreth nesh. Prandaj është koha e fundit që të gjithë ne si qytetarë të këtij vendi të orientohemi fuqishëm drejt një politike, patriotizmi i së cilës do jetë i lidhur me rezultatet finale të projekteve me të cilat qytetarëve do u lehtësohet jeta, ata do të kenë kushte më të mira për arsim e jetesë, do të kenë më shumë parqe dhe gjelbërim, më shumë shkolla e çerdhe, më shumë shtëpi kulture e kushte më të mira për zhvillimin e biznesit dhe bujqësisë.
Është koha e fundit që të kthjellemi dhe ta ndërrojmë këtë politikë sterile, e cila aktualisht prodhon vetëm përralla dimri nga ndejat me plis në kokë buzë oxhakut.