Memedali Jusufi
Renia e ish-Jugosllavise per disa filloi ne fushat sportive Ka plot media të reja të cilat po e ndryshojnë mënyrën se si ne i shohim lajmet. Veçanarisht është interesant ndikimi në sport. Organizatat sportive zhvillojnë platformat e tyre mediale, ku transmetojnë lojërat e tyre dhe lajmet, duke anashkaluar kësisoji lajmet tradicionale. Këto media, ku organizatat sportive mund t’u rrëfejnë tregimet e tyre drejtpërdrejt fansave përmes rrjeteve sociale apo kanaleve digjitale ua bëjnë më të vështirë qasjen gazetarëve ndaj sportistëve apo trajnerëve. Departamentet e klubeve për media shpesh kanë fuqinë e vendimmarrjes se cili lojtar, ku dhe kur do të paraqitet dhe kjo shpesh përjashton mediat të cilat nuk janë në ndonjë grupacion.Para së gjithash këtu po flasim për narrativën e cila falë moskujdesit apo gjuhës dhe interpretimit të vobektë mund të shkaktojë probleme serioze. Një shembulli mirë i cili ilustron rëndësinë e gazetarisë sportive është fillimi i viteve 90 kur trazirat në vendet e Ballkanit nisën pikërisht në ndeshjet sportive. Njohuritë të cilat atëbotë u duheshin gazetarëve sportive lidheshin me politikën, marrëdhëniet bilaterale, psikologjinë e masave, sistemit juridik. Ata që studiojnë sociologjinë e sportit, gjithashtu mbajnë tabela për rolin e mediave të ndryshme që luajnë në zbulimin e paragjykimeve. Për shembull, shikimi i disa sporteve definitivisht ndryshon sipas gjinisë. Meshkujt zakonisht shohin basketboll, futboll, hokej, baseball, pro wrestling, dhe boks. Gratë në anën tjetër kanë tendencë të përshtaten me mbulimin e gjimnastikës, patinazhit të artit, skijimit dhe zhytjes. Sportet e meshkujve mbulohen edhe më shpesh sesa sportet e grave, si në shtyp dhe në televizion. Sociologjia e sportit e referuar edhe si sociologji sportive, është studimi i marrëdhënieve midis sportit dhe shoqërisë. Ai shqyrton se si kultura dhe vlerat ndikojnë në sport, se si sportet ndikojnë kulturën dhe vlerat, dhe marrëdhëniet midis sportit dhe medias, politikës, ekonomisë, fesë, racës, gjinisë, të rinjve etj. Gjithashtu, ai sheh marrëdhënien midis sportit dhe pabarazisë sociale dhe lëvizshmërinë sociale . Nuk kanë ndryshuar vetëm mediat por edhe natyra e raportimit sportiv. Droga, korrupsioni dhe krizat financiare sigurisht kanë mbizotëruar edhe në vitin 1986 por ato mbuloheshin në masë të vogël ndryshe nga sot”, tha Paul Newman. Newman pohon se me aq shumë sport në televizion, mediat e shkruara u detyruan të bëhen më analitike, më informuese dhe zbavitëse. Duke raportuar se ç’kanë për të thënë menaxherët, trajnerët, garuesit dhe zyrtarët, mediat i shkruara ofrojnë lajme dhe pasqyra të cilat lexuesit nuk do të mund t’i merrnin duke qëndruar përpara ekraneve televizive. Disa këtë e shohin si “tabloidizim” të shtypit serioz, por duhet të jetë gjë e mirë që jemi vetëdijësuar lidhur me lajmet e caktuara”. Përmbajtja e artikujve në uebfaqen TSN SportsCentre nuk është aq e gjatë siç do të ishte një artikull për të njëjtën temë dhjetë vite më parë në një kolumnë të gazetës. Por kjo nuk do të thotë se ka rënë publikimi. Përkundrazi, publikimi po bëhet më i përmbledhur. Storiet e shkurta lidhur me ngjarjet sportive përcjellin rezultatet ditore, ndërsa kolumnat e ndryshme analizojnë aspekte të ndryshme të lojës. Shpërthimi i përmbajtjeve në internet ka zgjeruar raportimin sportiv ngase tani kanë më shumë gjëra për të shkruar. Teknologjia e ka ndryshuar sportin – tani ndeshjet analizohen në kohë reale, kamerat për përcjellje mbi koka të sportistëve tani japin statistika të lojtarëve lidhur me atë se si ata performojnë në ndeshje. Me këto informata, gazetarët sportivë kanë informata të detajuara pa përfunduar ndeshja.Përveç faktit se gjatësia e kolonave në rubrika sportive është gjithnjë e më e vogël, tekstet janë të optimizuara për makina kërkimi. Në vend të titujve / nëntitujve tërheqës, ato duhet të pëmrbajnë fjalët kyç siç është emri i ekipit apo lojtarit të caktuar që Google të mund të gjejë artikullin. Duhet të vendosen strategji siç janë fjalët kyç me bisht të gjatë (long tail keyword) për kërkimet në Google dhe përdorim të trendeve të sakta. Ekzistenca e optimizimit për makina ndryshon edhe vetë fjalët të cilat përdoren në gazetarinë sportive onilne, dhe jo vetëm përmbajtjen apo sasinë e përmbajtjes së publikuar.