30 March 2018 / 13:24
Plot 139 009 janë të punësuar në sektorin publik në Maqedoni. Këtë shifër e bëri të ditur ministri për Shoqëri informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski gjatë publikimit të Raportit vjetor nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik 2017.
Nga ky numër 69 380 janë të punësuar me vendime aktive në 1 299 institucione ndërkohë që 15 institucione nuk kanë fare të punësuar.
Nga 1 299 institucione 59.96 për qind e tyre janë të pushtetit lokal, ndërkohë të pushtetit ekzekutiv janë 40.03 për qind.
Sipas raportit, më shumë të punësuar ka në sektorin e arsimit me 32 për qind e të punësuarve nga numri i përgjithshëm, ndërkohë që më pak ka në sektorin e kulturës, gjyqësorit dhe pylltarisë.
“Në drejtori janë të punësuar 15%, në fushën e punës dhe politikës sociale janë të punësuar 6%, në fushën e transportit janë 3 %, në gjyqësor janë 3%, në shëndetësi janë 18%, në bujqësi dhe pylltari janë 2%, në punë komunale dhe higjienike janë 10 për qind, në kulturë 3 për qind, në pushtetin lokal janë 5 për qind”, tha Mançevski.
Nga numri total i nëpunëseve, 75 për qind e tyre janë të përkatësisë etnike maqedonase kurse rreth 19 për qind janë të përkatësisë etnike shqiptare.


