Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka shkruar një letër publike lidhur me procesin gjyqësor ndaj tij.
Ermal Yzeiraj, avokati i Beqajt, përmes një postimi në rrjete sociale ka publikuar letrën e shkruar nga klienti i tij.
Sipas Beqajt, ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake.
Ai shprehet se të dyja këto procese zgjatën me muaj të tërë dhe se ai nuk u lejua të fliste, teksa shkruan se “të dyja dështuan duke përfunduar me urdhëra dhe skema për të mbyllur gojën time.”
Sakaq, Beqaj e cilësoi si “pengmarrje” hetimin parlamentar ndaj “Sterilizimit”, e po kështu dhe procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj tij, teksa shkruan: “I ngjashëm ka qenë reagimi im në fund të dy proceseve. Tek procesi hetimor parlamentar duhet patjetër të reagoja kur Ina Zhupa dhe Albana Vokshi e mbyllën gjithë atë “pengmarrje” timen pa dashur kurrsesi të më jepnin fjalën. Ndërsa tek procesi gjyqësor vendosa të mos qëndroja më në sallën që më mbajti peng nëntë muaj dhe në fund Gjyqtarja jo vetëm heshti në mënyrë të paligjshme, por edhe na mbylli gojën ne të tjerëve, të akuzuarve, mbrojtësve tanë ligjorë dhe prokurorëve.”
Në letër, ish-ministri i Shëndetësisë kërkon që Sali Berisha, Albana Vokshi dhe Petrit Vasili të jenë dëshmitarë në seancën e radhës, me pretendimin që ata t’i shprehen në sy Beqajt si hajdut.
Me datë 23 janar, GJKKO-ja kaloi për gjykim dosjen e Sterilizimit, në seancën gjyqësore ku Ilir Beqaj kërkoi që të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe jo të shkurtuar, si një mënyrë për të provuar pafajësinë e tij, siç u shpreh ai.
“Më janë shkelur të drejtat”, ka deklaruar në GJKKO ish-ministri, duke iu drejtuar togave të zeza: “Akuzat e mia i ka bërë PD, ndikimi juaj është politik. Vendimet tuaja i duartroket Sali Berisha.”
Gjithashtu, Ilir Beqaj është shprehur se procesi është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, duke theksuar se “nuk ka një akuzë të shkruar për atë që akuzohem”.
“Ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërteten. Unë nuk kam mundësi të mbrohem, por vetëm të denoncoj”, ka thënë ish-ministri.
Ish-ministri Beqaj është arrestuar për dosjen e fondeve të SASPAC me urdhër të SPAK-ut në muajin korrik, kur dhe GJKKO e la në burg, kurse për çështjen e sterilizimit po ndiqet në gjendje të lirë. Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, teksa në muajin mars të këtij viti SPAK e dërgoi dosjen e “sterilizimit” për gjykim.
Postimi i plotë i avokatit të Ilir Beqajt:
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Z. Ilir Beqaj, në emër të tij po përcjell këtë deklarim publik:
Së pari, dua të falenderoj të gjithë ata që kanë shprehur mbështetje dhe besim tek e vërteta që unë dhe të tjerët po mbrojmë në Gjykatë në lidhje me çështjen e koncesionit “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, që rëndom cilësohet vetëm si “çështja e sterilizimit”, duke reduktuar ndjeshëm në opinion publik gjithë komponentët përbërës të saj.
Gjyma e përballjes sonë në Gjykatë lidhet me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe provave të saj të pakundërshtueshme. Gjysma tjetër ka kohë që lidhet vetëm me pengesat artificiale dhe të paligjshme që na u krijuan vazhdimisht gjatë këtij procesi, i cili para së gjithash duhet të garantonte të drejtat minimale të të akuzuarve, për të kuptuar akuzën, për të marrë provat ku bazohet akuza, për të folur dhe për të patur në sallë prezencën e medias.
Ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake. Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhëra dhe skema për të mbyllur gojën time.
Albana Vokshi mori urdhër për të më mbajtur dy ditë peng në Kuvend pa më dhënë të drejtën për të folur dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e saj disa vjeçare.
Edhe Gjyqtarja në fund të procesit gjyqësor mori një vendim absurd dhe të pazakontë që të gjithë të heshtnin dhe të mos flisnin për thelbin e çështjes – akuzën e re që ajo shpiku në fund të procesit. Kjo ishte dhe arsyeja e “shpërthimit” tim ndaj masakrës që ajo i bëri procesit gjyqësor dhe të drejtave tona procedurale si të pandehur.
Gjyqtarja vendosi që të mos shpjegonte/arsyetonte vendimin e saj të ndërmjetëm kur ftoi prokurorët që të korrigjonin akuzën, e cila ishte në thelb një akuzë totalisht e re. Dhe për këtë kishte një arsye. Në Njoftimin e Akuzës nga prokurorët dhe në provat bashkëlidhur nuk kishte asnjë provë që përligjte ngritjen e kësaj akuze të re. Si unë, si të akuzuarit e tjerë, si avokatët tanë dhe mbi të gjitha si vetë Prokurorët e çështjes, i kërkuam asaj që të shpjegonte arsyet e këtij qëndrimi dhe në cilin fakt apo provë të akuzës ajo bazohej për të pretenduar që në rastin konkret unë isha “hajdut” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Për më tepër që ky është një detyrim ligjor i saj dhe një e drejtë e pamohueshme e imja për të kuptuar akuzën e re që më bëhej.
Pavarësisht këtyre kërkesave, Gjyqtarja vendosi të kyçte gojën. Pra, të mos shprehej. Pastaj vendosi që as Prokurorët të mos shpreheshin dhe të mos shpjegonin akuzën e re të saj. Gjoja na dha neve fjalën për t’u mbrojtur duke na thënë paturpësisht që nëse nuk kishim ndonjë gjë për të folur, edhe mund të mos flisnim. Po si mund të mbrohesha unë dhe të tjerët për një akuzë të re të bërë nga Gjyqtarja që vetëm nenin tregon dhe nuk shpjegon asgjë se çfarë u vodh, sa u vodh, kur u vodh dhe cila është kjo strukturë kriminale që nuk shpjegohet në asnjë rresht të akuzës?! Po ashtu, a nuk e rregullon dhe e detyron ligji bashkëpunimin e ministrit me zv. ministrin, a nuk e rregullon dhe e detyron ligji bashkëpunimin e titullarit të Autoritetit Kontraktor me kryetarin e Komisionit të Koncesionit, a nuk e rregullon dhe e detyron Kodi Civil dhe kontrata bashkëpunimin e Autoritetit Kontraktor me koncesionarin? Prandaj, ky ka qenë një proces fiktiv, që ashtu si komisioni hetimor parlamentar, duhej të mbyllej me heshtjen time. Disa herë kam kërkuar mediat të jenë prezent në sallë, sepse nuk ka asnjë sekret në fjalën e mbrojtjes sime. Ama në të gjitha rastet më është mohuar një kërkesë e tillë nga Gjyqtarja se gjithë ky proces sipas saj është sekret hetimor.
I ngjashëm ka qenë reagimi im në fund të dy proceseve. Tek procesi hetimor parlamentar duhet patjetër të reagoja kur Ina Zhupa dhe Albana Vokshi e mbyllën gjithë atë “pengmarrje” timen pa dashur kurrsesi të më jepnin fjalën. Ndërsa tek procesi gjyqësor vendosa të mos qëndroja më në sallën që më mbajti peng nëntë muaj dhe në fund Gjyqtarja jo vetëm heshti në mënyrë të paligjshme, por edhe na mbylli gojën ne të tjerëve, të akuzuarve, mbrojtësve tanë ligjorë dhe prokurorëve.
Natyrshëm që Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time.
Ilir Beqaj
***
“DOSJA E STERILIZIMIT”
SPAK bëri me dije se “Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar. Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe zvmministrit Klodian Rjepaj”, – thuhet në dosjen hetimore. Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’. Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK. Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj Po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim. Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj.
“Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias. Koordinatorë shkencorë për dy institucionet janë caktuar Ilir Beqaj dhe Prof. Gianni Bidini. Gjatë një kontrolli të kryer në faqen e ‘facebook’ të Ministrisë së Shëndetësisë vërehet postimi i një albumi fotografik me të njëjtin titull dhe në të njëjtën datë. Në këto fotografi vërehet shtetasi Ilir Rrapaj në krah të zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në anën e delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë ku ndodhet dhe ministri Ilir Beqaj”,-thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.
HETIMET
Kjo foto duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’. Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit. Ky person del të jetë Umbro Staçini (Umbro Staçini), njeriu që siç shikohet edhe në këtë foto të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër” në vitin 2018, i jepet nga Departamenti i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, certifikata e mirënjohjes, për kontributin e çmuar që sipas këtij Fakulteti ai ka dhënë në dhurimin dhe sigurimin e pajisjeve kirurgjikale në Shërbimet Universitare të Kirurgjisë. “Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staçini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’. Gjithashtu, vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”,-thuhet më tej në dosje.
Umbro Staçini, duket se ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në takimet që më pas Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të zhvillojë në Umbria të Italisë me drejtues të rëndësishëm të këtij rajoni. Siç ishte edhe pritja që drejtuesja e këtij rajoni, i bëri ministrit Beqaj, në fund të vitit 2014, ku edhe në këtë takim, sipas fotove të verifikuara nga SPAK, nuk mungon biznesmeni Ilir Rrapaj që duket se ka shërbyer si një lloj xholi midis drejtuesve të lartë shqiptarë të shëndetësisë dhe Umbro Staçinit, që nga ana e tij ka shfrytëzuar lidhjet me politikën vendase, me qëllim për të konkretizuar marrëveshje të rëndësishme në fushën shëndetësore midis Shqipërisë dhe Italisë. “Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore.