Bashkëpunimi në mes EVN, Ministrisë së Ekonomisë, MPB, komunës dhe prokurorisë në lidhje me projektin për rikonstruim të rrjetit përfundoi frytshëm dhe për kohë shumë të shkurtë. Defektet janë eliminuar, furnizimi është normalizuar, si dhe është mundësuar leximi në distancë të të dhënave mbi konsumin e energjisë elektrike. Rrjeti i tensionit të ulët tanimë është plotësisht i sigurt për konsumatorët.
Investimet në rrjet dhe pagesa e rregullt janë shumë të rëndësishme si për konsumatorët ashtu edhe për operatorët.
Humbjet në rrjet janë zvogëluar nga 80% në 10%.
Në emisionin që kishte përgatitur Alsat, të cilin mund ta ndiqni në vijim u prezantuan të dhëna më të hollësishme https://www.youtube.com/watch?
“Në shtator të vitit 2022 kemi filluar me realizimin e një projekti të veçantë në fshatin Haraçinë. Janë përpunuar mbi 850 kabinete, janë zhvendosur mbi 2800 orëmatës dhe është instaluar rrjeti i tensionit të ulët prej 50 km” tha Petre Stankov, menaxher për projekte në EVN.
“Situata ka qenë paksa e vështirë duke pasur parasysh se ka kohë që nuk ka filluar procesi i investimeve për përmirësimin e rrjetit distributiv, që nënkupton edhe përmirësimin e shërbimeve të qytetarëve, veçanërisht në rajone të caktuara. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë, sipas kompetencave të saj, vendosi të luajë rolin e një ndërmjetësi aty ku ka mundësi” tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Që nga fillimi i projektit janë konstatuar 50 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
“Si për çdo lloj vepre, edhe për këtë vepër ka procedurë e cila para së gjithash duhet të përcaktojë faktet, provat, në mënyrë që praktikisht të procedohet nga prokuroria dhe gjykata. Në pjesën më të madhe të raportimeve, në numrin më të madh të rasteve, autorët e kësaj vepre identifikohen me sukses sepse ekziston dokumentacion përkatës, konstatim në vend të ngjarjes se ekziston qasje e paautorizuar në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe në këtë mënyrë arrijmë shumë shpejt tek kryesit dhe më tej rasti procedohet në Prokurorinë Publike”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Sot jemi këtu për të deklaruar dhe demaskuar njëherë e përgjithmonë se Haraçina nuk është ashtu siç përshkruhet, se banorët e Haraçinës janë siç i ka hije një qytetari sot. Së bashku me ekipin tim dhe qytetarët arritëm rezultate të shkëlqyera, por më konkretisht edhe me kompaninë EVN. Prandaj kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj ndihmë nga të gjitha institucionet për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Me përmirësimin e jetës së tyre, sigurisht që nuk do të kemi parregullsi nga ana e qytetarëve”, tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi.