Gjykata Penale e Shkupit dënoi me burg të përjetshëm edhe një anëtar të grupit të Kumanovës. Sulejman Osmani është i dënuari i tetë me radhë nga gjykata me burg të përjetshëm, raporton SHENJA.
Sipas asaj që e tha gjykatësi Goran Boshevski është e pakontestueshme se Osmani ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e grupit të Kumanovës, prej Kullës policore në Gushincë, e deri në luftimet në lagje dhe rikujtoi se Osmani, i ka pranuar të gjitha veprat e shkruara në akuzë, por ka mohuar vetëm kualifikimin si vepër terroriste.
Gjykatësi Boshevski tha se tani për tani publiku nuk mund ta ketë të qartë përse Sulejman Osmani dhe pjesëtarët e tjerë të grupit janë dënuar me burg të përjetshëm dhe dënime të tjera të larta, pasi ende nuk ka mundësi ligjore për publikimin e bisedave të përgjuara telefonike.
Por pasi të jetë publikuar dokumenti me verdiktin gjyqësor, opinioni do ketë mundësi ti lexojë transkriptet nga bisedat e pjesëtarëve të grupit që tha se janë dëshmi se të dënuarit janë fajtor për veprat për të cilat u dënuan dhe kështu do të shoshiten edhe gjithë spekulimet lidhur me këtë rast.
Atëherë kur u publikuan bisedat e përgjuara në gjykatë, gazetarët ishin të përjashtuar nga salla për shkak se nuk guxojnë të dalin në publik biseda të marra me masa të veçanta të hetimit derisa lënda është ende në gjykim e sipër.
Për dallim prej pjesëtarëve të tjerë të grupit, Sulejman Osmani e priti vendimin gjyqësor me duartrokitje…
“Rrnoftë UÇK-ja. Ju nuk më keni dënu mu, po me këtë vendim i keni dënu 7 milionë shqiptarë”, deklaroi Sulejman Osmani.
Vëllai i Sulejman Osmanit, Mitfar Osmani, nuk di si ti lidhë fjalitë për të shprehur dëshprimin e tij nga vendimi gjyqësor. Dje për të gëzimi ishte i pjesërishëm pasi nipi Fazli Osmani ishte liruar tërësisht nga akuzat, por dy anëtarë të tjerë të familjes ishin dënuar me burg të përjetshëm, dhe sot anëtari i tretë i familjes poashto do qëndrojnë mbyllur në qeli përjetësisht.
“O kjo nuk është drejtësi. Ne nuk kemi drejtësi. Me burg të përjetshëm me burgos njerëz në rast të montuar. Se këto janë raste të montuara. Ne gjithmonë jemi të montuar. U bëj apel që ndërkombëtarët ta marrin këtë punë. Familje i kam dy nipa në burg të përjetshëm dhe Sulejman Osmani, tre. Nuk kemi ne gëzime…Akuzohen si terrorista por nuk janë terrorista, s’mund të jenë terroristë”, ka thënë Miftar Osmani, vëllai i Sulejman Osmanit .
Sulejman Osmani është kapur në Kosovë afro një vit pasi kishte nisur gjykimi për grupin e Kumanovës pasi ishte në arrati në Kosovë. Ai u arratis teksa i tregonte policisë se ku gjendet armatimi i vjedhur nga kulla policore në Gushincë, diku në malin e fshatit Brezë, në rrethana të çuditshme për opinionin, me pranga në duar. Më pas kur policia e Kosovës e kapi,e ekstradoi me automatizëm. Por meqë procesi gjyqësor me 37 të akuzuar tashmë ishte në fazën kryesore, Osmani u gjykua në procedurë të veçantë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

