Ndalimi i platformës së TikTok në Shqipëri përveçse shqetësimit të politikes vendase, ka sjellë dhe reagim nga ndërkombëtarët, në këtë rast nga Italia.
“La Repubblica” i ka kushtuar një artikull mbylljes së TikTok në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një rast krejt të ndryshëm nga shtetet e tjera të cilat kanë marrë vendimin për ndalimin e platformës.
Sipas gazetës italiane, përmes këtij vendimi për ndalimin e platformës, “Rama ecën përpara, e ai nuk kthehet pas”. Përmes kësaj, gazeta nënkupton se Rama ka zgjedhur të përballet me kritikat jo vetëm të opozitës shqiptare por gjithashtu dhe të ndërkombëtarëve perëndimorë.
Media italiane shkruan se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, e kanë cilësuar vendimin e qeverisë si censurë politike. Sakaq, “La Repubblica” shkruan më tej se analiza të ndryshme mediatike shprehen se mbyllja e TikTok në Shqipëri do të ketë ndikim në ekonominë e vendit, e kjo për shkak se shumë biznese, qofshin ato të vogla apo të mëdha, përdorin platformën si mjet reklamimi për të shitur produktet e tyre.
“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është vendi i parë që ndalon TikTok. Gjithsej sot janë rreth 20 shtete që e kanë ndërmarrë këtë hap, nisur nga India në 2020, e cila u frikësua nga ndërhyrjet e mundshme kineze në jetën e tyre politike, për të pasuar tek të tjerët. Nepal, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Bashkimi Evropian kanë ndaluar përdortimin e TikTok në pajisjet e njerëzve që punojnë për institucione. Mbretëria e Bashkuar po e njëjta gjë. Por Shqipëria është një rast më vete. Vendimi është marrë për të shmangur përhapjen e kulturave të dhunës.”, shkruan “La Repubblica”.
Vendimi për ndalimin e TikTok në Shqipëri erdhi rreth një muaj pas ngjarjes së rëndë kriminale mes të miturve, ku 14 vjeçari Martin Cani u vra nga një bashkëmoshatar i tij me thikë pas një konflikti mes tyre, që dyshohet se nisi nga rrjetet sociale. Kjo ngjarja u bë dhe “arsyeja” që të nisej projektvendimi për mbylljen e platformës në Shqipëri, për shkak se në TikTok në vend nuk ka filtëra për të miturit dhe mbrojtjen e tyre ndaj përmbajtjeve dhunuese.
“Investimet e TikTok për të frenuar problemin dhe për të përmirësuan sigurinë: Kompania muajin e kaluar ka njoftuar se investohen më shumë se 2 miliardë euro për forcimin e sigurisë së përdoruesve në Evropë. Problemi në disa raste duket më shumë kulturore, siç është rasti i dy 14-vjeçarëve nga Tirana”, shton më tej media italiane.