Organizata qytetare “Më Mirë për Tetovën” ka ngritur shqetësimin për emërtimet e rrugëve, bulevardeve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Tetovë, duke pretenduar se ato ende pasqyrojnë në masë të madhe periudhën e Jugosllavisë komuniste.
Sipas listës së siguruar nga Komuna e Tetovës përmes kërkesës për qasje në informata publike, në Tetovë dhe Reçicë janë gjithsej 170 emra rrugësh. Prej tyre, 71 janë të numëruara, ndërsa 99 kanë emër.
Organizata thotë se 51 emra u referohen individëve, ndërsa vetëm njëri prej tyre është shqiptar – Murat Baftijari. Ndër emrat e tjerë përmenden Tito, Lenini dhe figura të lidhura me periudhën komuniste, ndërsa 48 emra lidhen me qytete, rajone, ngjarje apo simbole të asaj kohe, si JNA, Partizanska, Proletarska dhe 29 Nëntori.
“Më Mirë për Tetovën” e cilëson këtë përbërje si “fshirje simbolike dhe historike” të shqiptarëve, duke kërkuar që emërtimet publike të pasqyrojnë historinë dhe realitetin demografik të qytetit.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë mbi 70 për qind të popullsisë së Tetovës.
Organizata kërkon që, në një shtet demokratik dhe me orientim evropian, emërtimet e hapësirave publike të rishikohen dhe të përfaqësojnë më denjësisht historinë dhe përbërjen e qytetit.




