Australia dhe Britania kritikuan sot Kinën për veprimet e saj në Hong Kong, Detin e Kinës Jugore dhe mbështetjen e saj ndaj Rusisë. Të dy vendet kritikuan sjelljen e fundit të pasigurt dhe destabilizuese të anijeve të Kinës kundër anijeve dhe ekuipazhit filipinas pranë Second Thomas Shoal në Detin e Kinës Jugore. Kritikat u dhanë në një deklaratë që përmbante një gjuhë të drejtpërdrejtë mbi aktivitetet e Pekinit në rajon.
Deklarata e së premtes u lëshua pasi sekretari i jashtëm i Britanisë, David Cameron dhe sekretari i mbrojtjes Grant Shapps u takuan me homologët e tyre australianë, Penny Wong dhe Richard Marles, në Adelaide. Katër ministrat thanë se ishin të shqetësuar për ligjin e ri të sigurisë në Hong Kong dhe rënien e lirisë dhe të drejtave në territor, një ish-koloni e Britanisë, si dhe për abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë.
“Ata ngritën shqetësime të thella në lidhje me rënien e vazhdueshëm sistematik të autonomisë, lirive dhe të drejtave atje dhe ndikimin që do të ketë në qytet Urdhëresa e sapo miratuar për Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare dhe njohën ndikimin e mundshëm të këtyre ligjeve te individët jashtë Hong Kongut. Ministrat u bënë thirrje të gjithë atyre që kanë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, veçanërisht Kinën, që të përmbahen nga ndihma e Rusisë për të vazhduar luftën e saj në çfarëdo mënyre dhe të bindin Rusinë që t’i japë fund luftës së saj të paligjshme”, thuhet në deklaratë.