Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka nisur procedurë penale ndaj katër personave nga fshati Dobërdoll, Komuna e Vrapçishtit, pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të paraparë në nenin 288, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut, gjatë një ahengu familjar të organizuar në oborrin e një shtëpie në Dobërdoll. Sipas hetimeve, katër të dyshuarit kanë përdorur armë zjarri – tre pistoleta dhe një pushkë me markë dhe kalibër ende të panjohur – duke shtënë disa herë në ajër.
Prokuroria vlerëson se me këto veprime ata kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e një numri të madh të të pranishmëve në dasmë.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gostivar caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit. Sipas Prokurorisë, njëri prej tyre, përveç shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, posedon edhe shtetësi sllovene, çka konsiderohet si një nga rrethanat që mbështesin kërkesën për paraburgim.



