Nëse pagat e magjistratëve për socialistët tashmë janë një kapitull i mbyllur, një tjetër rihapet të hënën. Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore nis punën në shqyrtimin e ndarjes administrative territoriale, sipas variantit të propozuar nga socialistët.
Drafti i mazhorancës u depozitua në Kuvend në datën 31 korrik, në mënyrë që t’i jepej kohë konsultimit me njësitë vendore, ku javët e fundit, në takim me qytetarët, shkoi edhe vetë Edi Rama. Nga komisioni në seancë janë parashikuar gati 3 javë kalendarike, ku e enjtja e 8 tetorit është parashikuar si dita kur socialistët do të testohen sërish për kompaktësinë e tyre. Kjo pasi nisma kërkon minimalisht 84 vota, dhe reduktimi i bashkive nga 61 në 46 ka mërzitur jo pak socialistë.
Në 15 bashki që humbin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe bashkohen me bashkitë fqinje, me këshilltarë të majtë dhe të djathtë, u bënë bashkë për të ndalur hartën e re në këshillat bashkiakë, por pa sukses.
Kjo do të jetë hera e dytë që socialistët në qeverinë Rama miratojnë ndarje administrative territoriale të vendit, e para në 2014 dhe tani në 2026, dhe ajo që mbetet e pandryshuar është mungesa e konsensusit, ku opozita kërkon një numër më të madh njësish vendore, 100 të tilla, ndërsa socialistët 46.
The post Më 8 tetor miratohet harta e re territoriale. Votat në favor të mazhorancës, PD kundër appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


