Aktivisti Mirjan Aliaj, gjatë fjalës së mbajtur në protestën e sotme në Tiranë, u ndal edhe te përgjimet e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj lidhur me çështjen KAYO.
Aliaj iu referua pretendimeve të publikuara në lidhje me bisedat e biznesmenit Ron Yeffet, duke deklaruar se në përgjime ai fliste për një rol të Edi Ramës në aktivitetet e tij.
Sipas aktivistit, çështja po tentohet të kalojë në heshtje, ndërsa ai e cilësoi publikimin e përgjimeve si një “këmbanë alarmi” për qytetarët.
“Çështje që Rama po përpiqet ta kalojë në heshtje. Çështja e përgjimeve që ish-zëvendësi i tij publikoi para disa ditësh. Ne aty pamë me zë se si Ron Yeffet bënte muhabete dhe pohonte te bashkëpunëtorët e tij se Edi Rama e kishte kontraktuar për të bërë punët e këqija”, deklaroi Aliaj.
Ai akuzoi qeverinë se, sipas tij, po vendos sektorë strategjikë nën ndikimin e biznesmenëve privatë dhe bëri thirrje për reagim qytetar.
“Është këmbanë alarmi dhe thirrje se ne duhet të rezistojmë, se këto janë dëshmi se si kërkon ta shesë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Më tej, Aliaj pretendoi se Rama u ka besuar sektorë strategjikë një biznesmeni izraelit dhe se përmes KAYO-s janë marrë nën kontroll tendera të ushtrisë dhe të sektorit të mjekësisë.
“Ne pamë se Rama ka besuar sektorët strategjikë në një biznesmen kontrovers izraelit. Ky ka marrë nën kontroll të gjithë tenderat e ushtrisë nëpërmjet KAYO. Dhe ka marrë nën kontroll edhe tenderat e mjekësisë”, tha Aliaj.
The post Përgjimet e Ahmetajt/ “Ron Yeffet tha se Rama e kishte kontraktuar për të bërë punët e këqija”, aktivisti Aliaj: Përgjimet për KAYO janë kambanë alarmi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


