Një qytetar nga protesta para Kryeministrisë ka hedhur akuza të forta ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke pretenduar se kjo strukturë po mbron qeverinë. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe te hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pretendime për mënyrën se si po zhvillohet procesi hetimor.
“Dy fjalë për SPAK. Para disa ditësh e quajta SPAK-un kamuflazh dhe rrufepritëse të qeverisë, por këto ditë kjo gjë ka avancuar”, u shpreh qytetari nga sheshi.
Ai krahasoi trajtimin e figurave të ndryshme politike nga drejtësia, duke përmendur ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa pretendoi se ndaj Ballukut ka pasur një trajtim ndryshe. Qytetari gjithashtu bëri akuza të paprovuara lidhur me hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres, duke pretenduar se pyetjet e SPAK ishin përcaktuar paraprakisht nga ajo.
“Dy fjalë për SPAK-un. Para disa ditësh e quajta SPAK-un kamuflazh dhe rrufepritëse të qeverisë kriminale. Por kjo gjë avancoi këto ditë. Kur çuan Belindën aty, si zonjë, me polici dhe bodyguard. Ilir Metën e kapën si qen, por fundja ishte president. Sali Berishën e hetuan shtatë breza. Ajo, si zonjë. U morën me ca vajza dhe djem me pankarta kishin dalë, krejt paqësor.
Madje, nga burime të brendshme që kam, edhe pyetjet që i bën SPAK-u Belindës, i ka përcaktuar ajo paraprakisht. Ndaj SPAK-u nuk është gjë tjetër, është partner në organizatën kriminale të Rilindjes dhe me koherencë perfekte. Nëse ky kryeministri vret 100 veta këtu, hipotetikisht, Braho do të thoshte: Ishte vrasje inteligjente, që nuk gjendet dot”, tha ai.



