Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) sot do ta publikojë ofertën e re për rritjen e pagave në arsim në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), njofton Portalb.mk.
Në konferencë për media që do të mbahet me fillim prej ora 11:30, pritet të publikohet marrëveshja e arritur me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SAShK), që rritja e pagave të jetë për 10 për qind nga janari i 2020-s.
Se ka marrëveshje, u kumtua dje nga ministri Arbër Ademi, kryesindikalisti Jakim Nedelkovi dhe kryeministri Zoran Zaev.
Oferta e re që pritet të dalë nga marrëveshja, do t’i nënshtrohet shqyrtimit sërish me skemë të njëjtë të procesit:
Publikimi i ofertës nga MASh-i
Shqyrtimi në Këshillin e SAShK-ut
Miratimi i vendimit nga SAShK-u në lidhje me ofertën, pas kësaj janë dy opsione të tjera
Fuqizim të grevës paralajmëruese të 11 nëntorit apo pranim të ofertës së MASh-it.
Raundi i dytë i negociatave MASh – SAShK erdhi ngaqë kjo e fundit paralajmëroi grevë të përgjithshme për më 11 nëntor, ngaqë Këshilli nuk ishte i kënaqur me ofertën e parë të Qeverisë së RMV-s, që ishte rritje e pagave për 10 për qind nga prilli i 2020-s.
Që të parandalohet greva, rifilluan negociatat MASh-SAShK. SAShK-u ndryshe nga fillimi që kërkonte rritje të pagës për 25 për qind, tash thotë se e pranojnë ofertën që pagat të rriten për 10 për qind nga janari i 2020-s.



