Për të bindur opinionin publik se gjithçka që bën e ka për të mirën e qytetarëve dhe për të lënë të kuptohet se nuk shpenzon asgjë për vete, kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Rinas se limuzina luksoze me të cilën lëviz nuk është blerë me fondet e buxhetit të shtetit, por mbahet me një kontratë qiraje të paguar nga Partia Socialiste.
“Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur për veten time. Prandaj, për shembull, privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër, ose prandaj, fjala vjen, makina ime merret me qira nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie,” – deklaroi ai.
Por sa shpenzon realisht Edi Rama për këtë makinë luksoze të tipit Mercedes-Benz S-Class? Sa para paguan Partia Socialiste nga fondet e saj vetëm për lëvizjet e kryetarit dhe nga burojnë këto para? Dhe, cilës kompani i përket autovetura me targa AC 753 ZN?
Një Mercedes-Benz S-Class i gjeneratës së fundit në tregun e makinave me qira ka një kosto që varion nga 3,000 deri në mbi 4,000 euro në muaj. Në harkun e një viti të vetëm, fatura e qirasë së këtij mjeti shkon midis 36,000 dhe 50,000 eurove, një shumë e konsiderueshme për një vend ku paga mesatare mezi mbulon shpenzimet bazë të muajit. Në këtë shifër nuk llogariten faturat mujore të karburantit apo shërbimet e tjera operative.
Në thelb, me gjasë do të kishte qenë më e leverdishme blerja e kësaj makine, e cila, e re kushton përgjithësisht midis 140,000 dhe 220,000 eurove, në varësi të fuqisë motorike, opsioneve dhe taksave doganore.
Edhe pse kreu i qeverisë u shpreh se pagesa kryhet nga Partia Socialiste, të ardhurat e kësaj force politike burojnë kryesisht nga taksat e qytetarëve shqiptarë përmes fondit vjetor të KQZ-së. Ndonëse deklarohen edhe kontribute donatorësh, pjesa dërrmuese e arkës së PS-së, 70% deri në 80%, vjen nga fondi vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Fondi vjetor publik që Partia Socialiste përfiton nga Buxheti i Shtetit përmes vendimeve të KQZ-së është rreth 166 milionë lekë në vit, ose afërsisht 1.7 milionë euro.
Në raportet financiare vjetore të PS-së të dorëzuara në KQZ, fondi i donacioneve private varion në varësi të faktit nëse viti ka apo jo fushatë elektorale. Në vite të zakonshme, pa zgjedhje, ky zë lëviz zakonisht midis 7 dhe 15 milionë lekëve në vit, rreth 70,000 deri 150,000 euro. Në këto periudha, partia mbahet thuajse tërësisht nga paratë publike të KQZ-së dhe kuotat e anëtarësisë. Në vite zgjedhore, fondi i donacioneve private rritet, duke arritur nivelet e 35 deri në 50 milionë lekëve ose 350,000 deri 500,000 euro.
Ndërkohë, nga kuotacionet periodike që paguan anëtarësia, Partia Socialiste deklaron çdo vit në raportet financiare rreth 35 deri në 45 milionë lekë në vit ose afërsisht 350,000 deri në 450,000 euro.
Deri më tani, as kryeministri dhe as Partia Socialiste nuk kanë bërë publik faktin se nga cili prej këtyre zërave financiarë mbulohet qiraja e makinës luksoze. Po ashtu, mungon transparenca mbi kohëzgjatjen e kontratës, tarifën e saktë dhe kompaninë koncesionare me të cilën është firmosur marrëveshja. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Partia Socialiste nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion të dërguar zyrtarisht nga Zoom.al.
Kryeministri u shpreh dje se “kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë e jo për të marrë.”
Megjithatë, praktika tregon se kur vjen puna te shpenzimet, faturat e tij kanë qenë marramendëse. Për shembull, për vite me radhë, Rama udhëtoi me avionin qeveritar “Ismaili”, me fatura që s’u bënë kurrë publike dhe që sipas denoncimeve të opozitës, kapën vlerën e rreth 25 milionë eurove nga paratë publike. Transparenca mbi avionin mungoi tërësisht. Edi Rama e fshehu kontratën në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe faturat nuk u bënë kurrë publike, pasi DSHQ nuk refuzoi kërkesat e vazhdueshme të Zoom.al apo edhe të deputetëve të opozitës për informacion.
Skema e fshehjes së shpenzimeve po përsëritet. Nëse Edi Rama thotë se punon për qytetarët dhe jo për vete, ai dhe Partia Socialiste kanë së paku detyrimin të bëjnë publike kontratën e qirasë së Mercedesit luksoz, vlerën e saktë mujore, faturat tatimore dhe kompaninë që përfiton këto dhjetëra mijëra euro në vit. Pa këto letra mbi tavolinë, lëvizja me Mercedesin e ri është thjesht vazhdimësi e fluturimeve çarterterin luksoz të Erdoganit dhe deklaratat e tij nga Rinasi janë vijimësi e hedhjes hi syve shqiptarëve. /Zoom.al
The post Deri në 50 mijë euro në vit për Mercedesin me qira, sa kushton luksi i shfrenuar i Edi Ramës? appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


