Nga Turki bin Ibrahim Al-Madi
Ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë
Nga e djathta: Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite nëRepublikën e Shqipërisë, Turki bin Ibrahim Al-Madi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dheZëvendësambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, Ahmed bin Saad Al-Harbi, gjatëceremonisë të Ditës Kombëtare së Mbretërisë, Tiranë, 22 shtator 2026.
Dita Kombëtare përbën një rast për të kujtuar rrugëtimin historik të bashkimit të Mbretërisë nga themeluesi i saj, Mbreti Abdulaziz bin Abdulrahman Al Saud – Zoti e pastë në mëshirën e Tij – si dhe themelet që ai hodhi për unitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vendit dhe për ngritjen e institucioneve shtetërore. Këtë vit, Ditën Kombëtare e festojmë nën moton: “Krenaria jonë buron nga natyra jonë”.
Njëkohësisht, kujtojmë me krenari arritjet e vazhdueshme të vendit tonë në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, nën udhëheqjen e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, dhe të Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, Princ i Kurorës dhe Kryeministër – Zoti i ruajtë.
Sot, në kuadër të Vizionit 2030, Mbretëria po përjeton një transformim të gjithanshëm, që synon diversifikimin e ekonomisë, investimin në kapitalin njerëzor, zgjerimin e horizonteve të dijes dhe inovacionit, zhvillimin e sektorëve ekonomikë, shoqërorë dhe kulturorë, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, duke ruajtur njëkohësisht identitetin, vlerat dhe trashëgiminë kulturore e qytetëruese të Mbretërisë.
Ndër treguesit më të spikatur të arritjeve të Vizionit 2030 veçohen norma e papunësisë ndër shtetasit sauditë, e cila ka zbritur në 6,4%, duke arritur dhe tejkaluar objektivin përfundimtar të Vizionit prej 7%, krahasuar me 12,3% në vitin 2016. Shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është rritur në rreth 33,9%, duke tejkaluar objektivin fillestar prej 30%, çka bëri që objektivi i Vizionit të rritej në 40%.
Numri i selive rajonale të kompanive ndërkombëtare në Arabinë Saudite është rritur në më shumë se 700, ndërsa numri i investitorëve ndërkombëtarë ka tejkaluar 6 000. Ekonomia saudite ka vijuar të shënojë rritje të fuqishme, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto ka tejkaluar pragun prej 4,9 trilionë rialësh sauditë, i mbështetur nga rritja e përshpejtuar e aktiviteteve ekonomike jonaftore.
Në rrafshin ndërkombëtar, Mbretëria ka konsoliduar më tej pozitën e saj, duke u renditur në vendin e 17-të në botë dhe në vendin e katërt ndër vendet e G20-s, sipas Raportit Botëror të Konkurrueshmërisë, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Menaxhim (IMD).
Rrugëtimi i zhvillimit të Mbretërisë ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me rëndësinë që ajo i kushton sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Pikërisht mbi këto parime mbështetet edhe vizioni i Mbretërisë për marrëdhëniet e saj rajonale dhe ndërkombëtare.
Mbretëria vijon të ndjekë një politikë të jashtme të mbështetur në dialog dhe bashkëpunim, në promovimin e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë, në uljen e tensioneve në zonat e konfliktit, në respektimin e sovranitetit dhe të pavarësisë së shteteve, në zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe në nxitjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe konflikteve me mjete paqësore dhe diplomatike.
Në këtë drejtim, dëshiroj të vë në dukje përpjekjet e Mbretërisë për vendosjen e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Jemen. Mbretëria e ka vendosur gjithmonë paqen në krye të përparësive të saj dhe, së bashku me vendet vëllazërore e mike, si dhe në bashkëpunim me të Dërguarin e Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Jemenin, ka ndërmarrë përpjekje të shumta dhe ka paraqitur një sërë nismash në mbështetje të procesit të paqes në Jemen.
Në këtë kontekst, dëshiroj t’u referohem gjithashtu rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me Jemenin, ndër të cilat Rezoluta 2216, si dhe Rezoluta 2722, lidhur me sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të lundrimit.
Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’i trajtojë veprimet e milicisë Houthi thjesht si një episod të ri të përshkallëzimit ushtarak. Lëvizjet dhe përshkallëzimi i Houthive brenda Jemenit synojnë marrjen nën kontroll të brigjeve perëndimore dhe kërcënimin e anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Pasojat e këtyre veprimeve i kapërcejnë kufijtë e Jemenit, duke kërcënuar sigurinë e lundrimit, tregtinë ndërkombëtare dhe qëndrueshmërinë rajonale, si dhe duke krijuar mundësinë që këto mjete të përdoren për shantazh dhe kërcënim ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Mbretëria beson, gjithashtu, se sfidat me të cilat përballet sot bota e bëjnë dialogun dhe veprimin e përbashkët ndërkombëtar edhe më të domosdoshëm dhe se arritja e zhvillimit dhe e mirëqenies së qëndrueshme kërkon një mjedis ku mbizotërojnë paqja, stabiliteti dhe respekti i ndërsjellë ndërmjet shteteve.
Në këtë kuadër, çështja palestineze mbetet në krye të përparësive të Mbretërisë, e cila vijon të mbështesë të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe për krijimin e shtetit të tij të pavarur, si dhe të punojë për arritjen e një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të mbështetur në zgjidhjen me dy shtete, në përputhje me rezolutat përkatëse të legjitimitetit ndërkombëtar dhe Nismën Arabe të Paqes.
Në bashkëpunim me partnerët e saj në bashkësinë ndërkombëtare, Mbretëria vijon gjithashtu përpjekjet për të mobilizuar mbështetjen për këtë proces dhe për të krijuar një perspektivë serioze politike që çon drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon. Në këtë drejtim, në vitin 2024 u lançua “Aleanca Globale për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, me synimin për të ndërmarrë hapa konkretë drejt përmbushjes së angazhimeve, krijimit të shtetit palestinez dhe ndërtimit të një procesi të besueshëm e të pakthyeshëm drejt një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Krahas rolit të saj politik dhe diplomatik, Mbretëria vijon të përmbushë përgjegjësinë e saj humanitare ndaj popujve dhe komuniteteve të prekura nga krizat dhe fatkeqësitë, e udhëhequr nga vlerat e solidaritetit njerëzor, të cilat prej dekadash përbëjnë themelin e përpjekjeve të saj në fushën e ndihmës humanitare dhe të zhvillimit.
Në këtë kontekst, në vitin 2025, Mbretëria e Arabisë Saudite u rendit e dyta në botë dhe e para ndër vendet arabe mes vendeve donatore në ofrimin e ndihmës humanitare dhe emergjente, sipas të dhënave të Shërbimit të Gjurmimit Financiar të Kombeve të Bashkuara. Përgjatë historisë së saj, ndihmat e Mbretërisë kanë arritur në 175 vende të botës, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre ka tejkaluar 145 miliardë dollarë amerikanë.
Nëpërmjet Qendrës Mbreti Salman për Ndihmë dhe Veprimtari Humanitare, si dhe institucioneve të saj të ndryshme të zhvillimit, Mbretëria vijon t’u ofrojë ndihmë të prekurve dhe njerëzve në nevojë në mbarë botën, duke kontribuar njëkohësisht në mbështetjen e zhvillimit dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve përfituese.



