Andi Krasniqi-Malisheva akuzon se ngjarjet në Lagjen e Trimave janë inskenuar nga ish shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov, së bashku me politikanët vendor, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë. Malisheva i tha gjykatës se ata kanë njerëz të cilët kanë bërë hetime paralelisht me prokurorinë dhe se kanë gjetur fakte tejet interesante lidhur me inskenimin por nuk zbuloi asnjë prej tyre.
ANDI KRASNIQI (MALISHEVA), I AKUZUAR
“Në këtë orkestrim të dhimbshëm gjenden politikanët tuaj. Ju nuk na dhatë mundësi që t’i nxjerrim provat tona që i kemi mbledhur. Një person nga Gostivari, Xhezmi Shasivari, ka bërë biseda me njerëz të ndryshëm nga Kosova, Gjermania dhe drejt me Ali Ahmetin për të nxjerrë fakte. E nga ana tjetër, njerëzit e Mijallkovit ishin duke e përgatitur kurthin“
Demë Shehu nga ana tjetër mohoi gjithë akuzat se grupi ka ardhur për para ose për lojëra politike dhe ishte i bindur se liderët e ndjerë të grupit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj nuk janë dorëzuar.
DEMË SHEHU, I AKUZUAR
“Më vjen keq që nuk nejta me Begun dhe Mirsadin. Gjithë bota të çohet e të më thotë se Begu dhe Mirsadi janë dorëzuar unë nuk u besoj kurrë. Se ata kanë shkruar historinë. E atyre që na kanë çu atje në Lagje, u them vetëm dreçi qoftë me ju”
Sevdail Miftari dyshon në qeverisjen e kaluar duke siguruar se gjatë gjithë kohës që kanë qëndruar në Maqedoni, policia ua ka hapur rrugën deri në Lagjen e Trimave.
SEVDAIL MIFTARI, I AKUZUAR
“Prokuroria dhe policia e kanë ditur që ne jemi në Maqedoni, dhe na lanë të hyjmë nëpër kufi. Përse na lanë të lirë? Shteti i hapi vetë kufirin. Diku mes Çerkezit dhe Lubidragit përsëri autoblindat i kishim vetëm 100 metra larg, pas disa minutash ata u largun, na i hapën rrugën. Ata kanë mundur të na ndalin rrugës ku kanë dashur por qëllimi i autorit nuk ka qenë të jemi aty por të shkojmë atje ku e kanë patur për qëllim ta bëjnë masakrën”
Miftari rikujtoi edhe momentin kur një gardian e kishte kërcënuar me jetë, gjoja me porosi të tashmë të ndjerit Nimetulla Abdullai nga shërbimi sekret.
SEVDAIL MIFTARI, I AKUZUAR
“Me porosi të Nimet Abdullait më ka ardhë dy herë një gardian dhe më ka kërcënu me jetë. Më tha ‘do të vras’. Gjithë ata që punojnë pas shpine do të përdundojnë kështu”
Vdekjen e agjentit e përmendi edhe Bajram Elshani.
BAJRAM ELSHANI, I AKUZUAR
“Prokurori e di mirë se ne nuk jemi terrorist, edhe ai edhe shefi i tij. Nëse vazhdoni kështu, në këtë vend do të vijnë edhe shumë të tjerë si ne. Ndaloni këtë retorikë kundër shqiptarëve. Ja tani edhe dëshmitarët kanë nisur ti vrasin vetë. Vjet e vranë një të shërbimit sekret e tani e vranë edhe një tjetër”
Të akuzuarit mohuan sulmet ndaj disa institucioneve shtetërore që i paraprinë rastit të Kumanovës.
FERIKAN ILJAZI ARIFI /SHENJA/

