Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e Iljaz Çalit, i cili u ekzekutua për vdekje mbrëmjen e djeshme në një atentat në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës, në rrugën dytësore të autostradës, teksa viktima ecte me automjetin e tij ‘Land Rover’, kur u qëllua me breshëri armësh.
Mësohet se Çali rezulton aksioner në kompaninë ‘Çali Metal SHPK’, me objekt shfrytëzimin dhe përpunimin e mineralit të kromit. 37-vjeçari rezultonte të kishte një biznes të përpunimit të kromit në emrin e tij, ku bashkëpronar ishte edhe i vëllai, e regjistruar që në 2011.
Ndërkohë, koincidencë në këtë histori është se në të njëjtën ditë më 4 prill të 2014 atij i kanë varë mikun e ngushtë, Gjin Nika, i cili gjithashtu kishte edhe një biznes kromi, ndërsa dyshohej se ishte edhe vrasës me pagesë. Ndaj, policia është përqendruar në hetimet e saj për ekzekutimin e Iljaz Çalës te pistat e larjes së hesapeve por edhe ajo e konfliktit për biznesin e kromit.
Ekzekutimi i Iliaz Çalit, një emër i njohur për Policinë e Shtetit:
Iliaz Çali u ekzekutua me armë zjarri brenda mjetit me të cilin po udhëtonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, pranë kthesës së Rinasit. Ndaj tij është qëlluar me armë zjarri teksa po lëvizte me mjetin e tip “Land Rover” me targa AB 988 AS. Në 2016 Çali ka qenë i përfshirë në kultivimin e rreth 700 rrënjë kanabis.
Trupi i pajetë u gjet brenda mjetit i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që në mjet të ketë qenë edhe një person tjetër, për shkak se dera e pasagjerit ka qenë e hapur. Për këtë policia ka nisur hetimet dhe kontrollet në spitale për të plagosur. Dyshohet se atentati ka qenë për larje hesapesh
Makina rezulton në pronësi të Hekuran Xhixhës, nga Nikla e Fushë Krujës, ku burimet për Report Tv thonë se ai e ka shitur mjetin në një pikë që jep makina me qira në zonën e Rinasit. Pas ekzekutimit të të riut, mjeti me të cilin lëvizte ka ecur pa kontroll për disa metra dhe më pas ka përfunduar anës rrugës. Fillimisht u dyshua për aksident, por kur policia pa gëzhojat në vendin e ngjarjes, pa që ishte një atentat.
Iliaz Çali nuk rezulton një emër i panjohur për policinë, pasi më dy korrik të 2016-ës, pas grabitjes së parë të parave në Aeroportin e Rinasit, policia ka ushtruar kontroll në të gjitha banesat.
Teksa ka kontrolluar banesën e Çalit, ka gjetur 682 rrënjë kanabis. Policia për këtë rast vuri në pranga asokohe nënën e viktimës, Xhemile Calin, ndërsa 37-vjeçari u arrestua pak më vonë.
Vrasja e Çalit në të njëjtën datë me vrasjen e mikut të tij, Gjin Nika:
Si për koincidencë, në të njëjtën ditë më 4 prill të 2014 atij i kanë varë mikun e ngushtë, Gjin Nika, i cili gjithashtu kishte edhe një biznes kromi, ndërsa dyshohej se ishte edhe vrasës me pagesë.
Po ashtu, rivaliteti i egër për galeritë e kromit në Bulqizë, i lindur prej vitit 2009, ka shkaktuar një tjetër viktimë. Shkëlzen Leka, 36 vjeç, është ekzekutuar disa muaj pas vrasjes së Gjin Nikës në vitin 2014, në ambientet e një restoranti të vogël në rrugicën “Islam Alla”, përballë xhamisë në Tiranë.
Dy persona që lëviznin me një motor janë shfaqur para restorantit dhe një prej tyre pasi ka zbritur, ka hyrë brenda me një armë tip pistoletë duke zbrazur të paktën 12 plumba (ky është numri i gëzhojave që gjeti policia). Tetë prej tyre goditën Lekën në trup dhe në kokë.
Drejtoria e Tiranës ndodhet vetëm 300 metra larg vendngjarjes. Policia tha asokohe se vrasja është vijim i serialit të atentateve që kanë lidhje me sherret për galeritë e kromit në Bulqizë. Viktima ka qenë i proceduar për përleshje me armë dhe grabitje. Ai ka qenë miku i Gjin Nikës, njeriut që u dyshua për disa vrasje me pagesë, gjobëvënie dhe që më 4 prill të këtij viti mbeti i vrarë në një atentat në Fushë-Krujë.
Por më vonë u bënë armiq, pasi Nika kishte tentuar të vriste Gentian Kacin në një konflikt brenda grupit. Për vrasjen e Nikës akuzohet pikërisht i dyshuari Kaci, shok i ngushtë me Lekën, që u vra mbrëmë. Policia dyshonte se Leka është vrarë për shkak se mund të jetë përfshirë në ekzekutimin e Nikës, ose ngaqë kishte dëshmuar kundër tij në gjyq.








