LSDM-ja sot ka akuzuar qeverinë se është vonuar në reagimin ndaj krizës shëndetësore me ethet e Nilit Perëndimor dhe se institucionet nuk kanë kapacitet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve në kohën e duhur. Simona Cvetanoski, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së,në konferencën e sotme e lidhi epideminë aktuale të etheve të Nilit Perëndimor me krizën e ujit në Gostivar, duke vlerësuar se ajo që është e përbashkët për të dyja rastet është, siç tha ajo, vonesa në reagimin e qeverisë.
SINKRON: SIMONA CVETANOSKI ANËTARE E BORDIT EKZEKUTIV TË LSDMS-Ë
“Përsëri, reagime të vonuara, lëshime, asnjë përgjegjësi. Edhe me spërkatjen e mushkonjave, ato u vonuan. Rezultati është se Maqedonia është vendi në Evropë me më shumë raste për kokë banori. Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve shkalla e incidencës (rastet për kokë banori) e Etheve të Nilit Perëndimor është më e larta në Maqedoni. Deri më tani, ka pasur pesë viktima”.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në këtë situatë emergjente, mbledhjet dhe deklaratat se “situata po ndiqet dhe është nën kontroll” nuk mjaftojnë. Sipas tyre qytetarët presin veprime konkrete nga institucionet kompetente përgjegjëse për të i’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vënien e situatës nën kontroll.
TABELË: ASH
“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmerren masa konkrete si dezinsektim të menjëhershëm dhe të intensifikuar në zonat e rrezikuara, monitorim epidemiologjik të vazhdueshëm dhe transparencë të të dhënave, forcim të kapaciteteve shëndetësore për diagnostikim dhe trajtim, informim të qartë dhe udhëzime praktike për qytetarët”.
Partitë thonë se pesë jetët të humbura janë një alarm që kërkon mobilizim serioz të institucioneve të cilat nuk vepruan në kohë. Siç thonë ata, në mbrojtje të shëndetit publik, nuk ka vend për politikë, as për manipulime, për improvizim apo komunikim propagandistik.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



