Një përpjekje për t’i ikur policisë përfundoi në spital për një 36-vjeçar nga Velesi, i cili gëlltiti një substancë të bardhë në formë pluhuri, ndërsa policët po përpiqeshin ta kapnin.
Burri ishte pasagjer në një automjet taksi, të cilin policia e ndaloi për kontroll. Në vend që të lejonte kontrollin, ai tentoi të largohej me vrap.
Ngjarja ndodhi më 11 tetor, rreth orës 22:35, në rrugën “Blagoj Gjorev” në Veles.
“Gjatë përpjekjes për t’iu nënshtruar kontrollit, ai tentoi të arratisej, por u kap pas një kohe të shkurtër”, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme në Veles.
Policia nuk bëri të ditur se çfarë substance kishte gëlltitur 36-vjeçari.
“Ai gëlltiti një substancë të bardhë në formë pluhuri dhe u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit për t’i ofruar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, burri u ndalua në stacionin policor.
Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa policia bëri të ditur se, pas dokumentimit të ngjarjes, ndaj tij do të paraqitet kallëzimi përkatës.



