Një shofer 59-vjeçar nga Republika Çeke ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është përmbysur në autostradën Veles–Shkup.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti është raportuar më 12 tetor në Sektorin për Punë të Brendshme në Veles, ndërsa ka ndodhur rreth orës 09:00, pranë pikës së pagesës rrugore Otovicë.
Shoferi Z.J. drejtonte një automjet të tipit “Peugeot”, me targa të Velesit, i cili fillimisht është përplasur me mbrojtësen anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur në karrexhatë.
I lënduari është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit, ku mjekët i kanë konstatuar lëndime të rënda trupore.
Në vendin e aksidentit është kryer këqyrja nga një ekip i Sektorit për Punë të Brendshme në Veles.



