Paraqitja e Lube Boshkoskit në mitingjet e BDI-së duke kërkuar vota për kandidatët e kësaj partie, ka irrituar banorët e Lubotenit të cilët më së shumti ndjejnë pasojat e urdhrave të Boshkovskit për aksione gjatë vitit 2001, kur ai ishte ministër i Punëve të Brendshme. Ata janë të tmerruar nga ky fakt dhe në mënyrë ironike thonë se ende ka shqiptar që votojnë për atë që u thotë Lube Boshkovski.
BANOR
“Ai ka bërë shumë krime. Ne jemi të ofenduar. Atë tash duhet me dënu, apo? Ende kemi asi shqiptar që ja japin atij votat. Ska vota për atë. Atë duhet vetëm në burg. Çaç”
BANOR
”Joo, nuk duhet, nuk duhet se ai çka nuk ka bërë këtu dhe ne të shkojmë në miting me atë. Ai ka vrarë njerëz nëpër katund. Ai shkon por nuk duhet të shkojë…Pse e kanë thirrë, sështë dashur të thirret ai”
Banorët e Lubotenit gjithashtu janë kundër ndërhyrjeve të huaja në vullnetin e shqiptarëve.
BANOR
“Ai njiherë ishte shumë kundër neve, ndërsa tash të na përzihet neve…Ndjenja nuk bën hiq, sështë mirë”
BANOR
“O Lubja, lëre Luben ai Johan Tarçullovski ka tani në koalicion, dhe duan ta bëjnë kryetar komune. Deri dje na ka mbytë, na ka vra, e sot…Krejt janë njësoj, si ata, si ata, nuk e di çfarë të them më shumë. Ska dashur të shkojë ama”
Lubotenasit madje irritoheshin vetëm me përmendjen e emrit Lube Boshkovski…
BANOR
“Nuk kemi koment për atë. As nuk dëshirojmë ta përmendim bile. Mua ma përmendët, por nuk bën t’ia përmendni dikujt tjetër”
Shumica e banorëve të Lubotenit e cilësonin si tallje me ndjenjat e tyre pjesëmarrjen e Boshkovskit krah për krah ish ushtarëve të UÇK-së.
Lubotenasit që kishin humbur familjar nga masakra e vitit 2001 nuk deshën që të flasin para kamerës nga mllefi i madh që ende e akumulojnë për ata që ua vranë më të dashurit e tyre. /Ferikan Iljazi Arifi

