VMRO-DPMNE ka akuzuar se me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7.4%, kompanitë energjetike do të përfitojnë 20 milionë euro më shumë, ndërsa gjithë kjo do të shkojë në kurriz të qytetarëve. Nga kjo parti thonë se rritja është e paarsyeshme, pasi shpenzimi më i vogël i energjisë gjatë pandemisë nënkupton se edhe kompanitë kanë pasur më pak shpenzime dhe rrjedhimisht nuk kanë pasur nevojë të rritet çmimi.
Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE: “Jemi dëshmitarë të gjendjes në të cilën menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve patëm shok të ri për qytetarët dhe rritje të çmimit të energjisë elektrike për 7.4%. Sipas çdo logjike ekonomike, ulja e shpenzimit të energjisë për shkak të krizës me koronën, duhet të nënkuptojë edhe racionalizim të shpenzimeve te të gjitha kompanitë dhe jo rritje të menjëhershme të çmimit për shpenzuesit e fundit. Gjatë kohës së krizëas, barrën e krizës duhet ta bartin të gjithë faktorët dhe jo vetëm konsumatorët e fundit, të cilët përveç varfërisë, në kurriz të tyre e kanë edhe problemin shëndetësor me virusin i cili asesi nuk po ndalon duke u përhapur”.
Edhe përkundër akuzave të opozitës për dështim në planin ekonomik, nga LSDM sot kanë premtuar se Qeveria e re që do ta drejtojë kjo parti dhe kryetari Zoran Zaev, e përbërë nga kuadro të përgjegjshëm, të ndershëm, të përkushtuar dhe profesional, në mandatin e plotë katër vjeçar do të punojë me përkushtim në realizimin e programeve të hartuara, para së gjithash në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
LSDM: “Në rend të parë në agjendën e Qeverisë së re është zhvillimi i ri i ekonomisë që do të sigurojë fuqizim të standardit të të gjithë qytetarëve. Në katër vitet e ardhshme do të vazhdojë rritja e pagave, investimet në vende të reja të punës, mbështetja e vazhdueshme e sektorit privat vendor dhe thithja e investimeve të huaja”.
Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare përmes reagimeve të tjera kanë akuzuar pushtetin aktual se nuk mbajnë llogari për gjendjen sociale të qytetarëve, por vetëm për pasurinë e funksionarëve qeveritarë dhe partiak.



