Partitë politike nuk do të heqin dorë nga retorika e fokusuar në temat e mëdha kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale. Kjo bie në sy që pa filluar akoma fushata kur euro-integrimet, ligji për gjuhët dhe puna e Qeverisë, zënë një pjesë të madhe të prononcimeve të përfaqësuesve politik, kandidatëve për kryetarë si dhe kandidatëve për këshilltarë komunash. Sipas partive, në këtë gjë nuk ka asgjë kontestuese.
“Sigurisht se ne nuk mund t’u shmangemi edhe temave të karakterit nacional dhe temave të mëdha të politikës kombëtare duke pasur parasyshë se BDI-ja është përfaqësues autentik i interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Padyshim se nga temat në nivelin nacional varet dhe ka lidhshmëri edhe mirëqenia e qytetarëve në nivelin lokal. Ne, e ritheksoj, jemi të fokusuar që të prezantojmë para qytetarëve se jemi servis i tyre në nivel lokal por pa u shamngur edhe temave që kanë karakter nacional – deklaroi Arbër Ademi, BDI.
“Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon më 24 shtator dhe që nga ajo ditë ne edhe zyrtarisht do ta shpalosim programin dhe ofertën tonë politike për zgjedhjet lokale të vitit 2017, kështu që deri atëherë është shumë normale që eksponentë tanë politik, përveç temave të karakterit lokal të trajtojnë edhe tema politike dhe të tregojë një lloj kontinuiteti politik të veprimit tonë, që është një garancë që oferta jonë programore dhe kadrovike do të jetë e realizueshme dhe qytetarët do ta kenë më të lehtë të përkrahin subjektin tonë politik – tha Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.
“Shtylla e parë është që të clirohen komunat ku parashihet çlirimi i komunave nga borxhet, nga korrupsioni, nga mafia urbane dhe të jemi transparent ndaj qytetarëve. Në momentin që ne do të marrim në menaxhim komunat, ne do t’i publikojmë borxhet e të gjitha komunave – u shpreh Faton Fazliu, BESA.
As nga VMRO-DPMNE-ja dhe as nga LSDM-ja nuk morëm përgjigje për retorikën që do të karakterizojë fushatën e tyre dhe format e promovimit të programeve për zhvillim lokal. Analistët nga ana tjetër vlerësojnë se drejtimi i fokusit në temat madhore, është përshkak të mungesës së planeve konkrete për zhvillim lokal. Megjithatë sipas Petar Arsovskit, ajo që i prek drejtëpërdrejtë qytetarët janë problemet lokale.
Kuptohet se partitë përpiqen ta imponojnë narrativën e tyre politike që u përshtatet më shumë. Ata parti që nuk kanë performanca të mira lokale kuptohet se do të flasin për politikë të madhe dhe partitë që nuk kanë qenë në pushtetet për të shfaqur performanca do të lidhen pas politikave të mëdha. Mendoj se gjithsesi është ndikim i krizës së vazhduar politike dhe armiqësive mes partive megjithatë kjo nuk është forma e duhur për të prekur deri te qytetarët sepse ndikim më të madh kanë temat lokale – deklaroi analisti Petar Arsovski.
Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator por aktivitetet dhe takimet e eksponentëve politik me qytetarët tashmë kanë filluar.
Fatlume Dervishi

