25 Dhjetor
Ministria e arsimit nuk jep pëlqim për punësimin e dhjetëra arsimtarëve në shkollën fillore “Murat Labunishti” në Labunishtë të Strugës të cilët ligjërojnë në gjuhën shqipe. Nga ky Dikaster për Alsat M u shprehën se çdoherë japin pëlqim vetëm aty ku ka nevojë reale për diç të tillë.
Në rastin e Labunishtit, nëse komuna i ka punësuar këto arsimtarë pa pajtueshmërinë e Ministrisë, atëherë komuna të njëjtit duhet t’i merr si barë personale. Ne komunave u japim mjete përmes bllok- dotacioneve për financim në arsim ndërsa komuna më pas duhet t’i ndajë ato mjete në mënyrë përkatëse- thonë nga Ministria e Arsimit.
Siç tashmë e publikoi Alsat- M, disa arsimtarë pa paga janë gati një vit e gjysmë ndërsa disa tjerë me muaj të tërë. Për shkak të këtyre zhvillimeve, nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle mund të mbeten pa proces mësimor.
Tentuam qëndrim të marrim edhe nga komuna e Strugës, lidhur me atë se si do të tejkalohet problemi, por përsëri nuk morëm përgjigje. Ndryshe, në shkollën “Murat Labunishti” çdo vit ka rritje të numrit të nxënësve që mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe. Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar rreth 100 nxënës në gjuhën shqipe dhe 36 në atë maqedonase.
Miki Trajkovski

