Nga BDI në një kumtesë për media thonë se trajtimi i studentëve shqiptarë nga Tirana është skandal institucional.
Nga BDI theksojnë se t’i ndalosh, t’i pengosh dhe t’i trajtosh si kërcënim studentët që solidarizohen me një kauzë gjuhësore e kombëtare, është akt i papranueshëm.
“Video-incizimet e publikuara sot në media, ku shihet trajtimi apo më mirë të themi keqtrajtimi i studentëve shqiptarë nga Tirana nga ana e policisë, janë dëshmi e një skandali institucional. Ata studentë nuk erdhën për të provokuar askënd. Erdhën për të mbështetur studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në kërkesën e tyre të drejtë për përdorimin zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe. T’i ndalosh, t’i pengosh dhe t’i trajtosh si kërcënim studentët që solidarizohen me një kauzë gjuhësore e kombëtare, është akt i papranueshëm. Deklarata e tyre se janë ndjerë “të marrë peng” e tregon qartë përmasën e këtij keqtrajtimi”.
“Ky nuk është rend publik. Ky është presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe ndaj çdo zëri që kërkon barazi. Aq më tepër skandaloze është kërcënimi me ulurima i policëve nfaj fëmijëve në anglisht “mbylle gojën” dhe goditja me grusht në gjoksin e një të mituri. BDI kërkon dorëheqje nga zëvendësministri Astrit Iseni. Kërkon përgjegjësi të menjëhershme nga MPB dhe sqarim publik për çdo veprim policor. Në një shtet demokratik nuk pengohen studentët që kërkojnë e drejta të respektohen. Ndërsa gjysëmkryetarët e VLEN-it nuk guxojnë zë të nxjerrin”, thonë nga BDI.


