Shoqatat qytetare dhe dibranët në përgjithësi janë shumë të kënaqur me vendosjen e matësve të cilësisë së ajrit në qytet, në kuadër të aktiviteteve të Qendrës Rajonale RESET HUB, e cila është organizatë nënshkruese, së bashku me 47 organizata të tjera nga rajoni i Ballkanit. Tani dibranët kanë mundësi të ndjekin cilësinë e ajrit, gjë që ka qenë një dëshirë e madhe e popullatës lokale, duke pasur parasysh faktin se shoqatat kanë vlerësuar se Dibra përballet me ndotje të ujit, tokës dhe ajrit. Në nivel lokal, këto çështje trajtohen përmes monitorimit të cilësisë së ajrit dhe përmes Asamblesë Klimatike në Dibër, duke përfshirë qytetarët në diskutime mbi energjinë dhe të ardhmen e zhvillimit.
Aktivisti dhe eksperti i kësaj sfere, Noli Osmani, thotë se: u vendos stacioni i parë për matjen e cilësisë së ajrit. Të dhënat janë online dhe mund të lexohen nga të gjithë në kohë reale. “Njëkohësisht po punojmë që të kemi një platformë edhe më të qasshme dhe më të lehtë për qytetarët. Pas grumbullimit të të dhënave të para, do të fillojmë me publikimin e raporteve periodike, ku do të bëhet analiza dhe interpretimi profesional i rezultateve, në mënyrë që informacioni të jetë sa më i qartë dhe i dobishëm për qytetarët”, u shpreh Osmani.
Këto ditë, përveç vendosjes së dy stacioneve matëse, në qytet po vendosen edhe gjashtë sensorë, thotë aktivisti në sferën e ekologjisë dhe sektorit qytetar, Shuip Marku. “Komunitetet lokale duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes për të siguruar një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në mbrojtjen e ambientit jetësor. Filluam të vendosim nëpër qytet sensorë për matjen e cilësisë së ajrit, konkretisht për grimcat PM10 dhe PM2.5. Janë gjithsej gjashtë sensorë, të cilët matin temperaturën e ajrit, lagështinë dhe shtypjen atmosferike. Rezultatet e para tregojnë ajër të pastër në qendër të Dibrës. Por matjet tregojnë se në lagjen Venec ajri është pak më i ndotur, ndërsa në lagjet tjera indeksi i grimcave është nga 1 deri në 5, kurse në lagjen Venec mbi 10. Normalisht, këto shifra janë mjaft të ulëta dhe nuk janë të dëmshme për shëndetin. Mesatarja 4 tregon ajër shumë të pastër”, tha ai.
Në bisedat që patëm me dibranë të grupmoshave të ndryshme, u informuam se vendosja e matësve jep shpresë se teknologjia e instaluar do t’u japë mundësi qytetarëve të ndjekin cilësinë e ajrit në qytet në çdo moment.
V.N., një qytetar dibran i moshës së mesme, thotë se dibranët nuk duhet të lejojnë ndotjen e qytetit. “Disa shoqata thonë se viteve të fundit ka filluar të ndotet ajri, pastaj ujërat dhe toka. Jetojmë në Dibër dhe duam një mjedis të pastër. Ka pasur manipulime, ku disa kompani kanë matur ajrin, ndërsa situata ka qenë ndryshe dhe në opinion janë transmetuar informata jo të sakta. Prandaj tani kemi mundësi edhe ne si qytetarë ta ndjekim cilësinë e ajrit”, u shpreh ai. R.V. është një i ri, student, i cili thotë se Dibra nuk guxon të ndotet as nga toka, as nga ujërat dhe as nga ajri. “Nuk do të lejojmë askënd ta ndotë ajrin dhe të dëmtojë mijëra dibranë. Prandaj vendosja e matësve është një moment historik për Dibrën”, thotë ai. (koha.mk)


