I akuzuari në Lagjen e Trimave, Nexhmedin Lika e akuzoi prokurorinë për kurdisje të procesit gjyqësor në marrëveshje me disa prej të akuzuarve. Sipas asaj që Lika e tha sot para trupi gjykues në formë të fjalës përfundimtare, ka shumë prej të akuzuarve që dinë detaje rreth organizimit të rastit por nuk flasin pasi mbrojnë dikë, raporton Tv Shenja.
“Ngjarja ndodhi në kohëra të vështira, të turbulluara në gjitha sferat, dhe kjo e vështirëson zbardhjen e drejtësisë. Gjithë këtë e ka bërë prokuroria me disa të akuzuar që kanë patur të thonë shumëçka, por kanë heshtur. Gjithë kjo për interes të dikujt”, tha Lika.
Lika nuk specifikoi se cilët të akuzuar janë të rezervuar në fjalime dhe cilët persona po i mbrojnë. Vetëm e la të hapur mundësinë që rasti mos të jetë krejtësisht i drejtë dhe i bazuar në prova e fakte, tha Nexhmedin Lika.

