Komisioni për Politikë Sociale mbetet i bllokuar, edhe pse kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, për kryesuese e emëroi deputeten nga koalicioni në pushtet VLEN, Imërlije Saliu Fetai, pasi Parlamenti i votoi mosbesim ish-kryetares së këtij organi, Ilire Dauti. As Fetai nuk arriti ta vërë në votim rendin e ditës së mbledhjes, pasi deputetja nga LSDM, Jovana Trençevska, kërkoi që në rend dite të shtohet Ligji për “branitellat”. “Si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset plotësimi i Ligjit për të drejtat e posaçme për pjesëtarët e sigurisë të Maqedonisë së Veriut dhe të anëtarëve të familjeve të tyre me procedurë të shkurtë”, tha deputetja Trençevska në proceduralen e saj. Ky propozim nuk gjeti mirëkuptimin e deputetes Saliu, e cila iu përgjigj Trençevskës se kryetari Gashi e kishte caktuar të kryesojë Komisionin vetëm për Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor.
“Thash që në rend dite ka vetëm një pikë dhe ju lutem të votojmë. Për Ligjin për mbrojtësit kanë kaluar të gjitha afatet dhe unë duhet të shqyrtoj vetëm Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor. Ju nga LSDM mos krijoni tendenca. Në seancën për interpelancë e latë sallën për të mos u akuzuar për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Unë do ta mbyll seancën për një kohë të pacaktuar. Mendoj se nuk ka nevojë për debat. VLEN nuk do të lejojë që Ligji për Mbrojtësit të vihet në rend dite pa përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së. Nuk ka nevojë për debat. Shpresoj që Ilire Dauti do të kthehet në Komision si kryetare”, tha Saliu-Fetai.
Pas kësaj, deputetja e VLEN-it e mbylli seancën për një kohë të pacaktuar. Sipas kësaj, Komisioni për Politikë Sociale vazhdon të mbetet i bllokuar.
Kryeparlamentari Afrim Gashi, për të zhbllokuar Komisionin për politikë sociale, fillimisht e caktoi deputetin nga Fronti Evropian, Bejxhan Iljaz, që të kryesojë këtë organ, por ai e refuzoi. Fronti Evropian tashmë është deklaruar se nuk do të propozojë një kryetar të ri të Komisionit pas interpelancës dhe dorëheqjes së Dautit nga drejtimi i këtij organi. Nga Fronti Europian mbeten në qëndrimin që në krye të komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini të rizgjidhet deputetja Ilire Dauti. Opozita nuk reagoi ndaj faktit që Gashi caktoi për kryesuese një deputete nga pushteti, edhe pse sipas marrëveshjes ndërpartiake, me këtë organ duhet të kryesojë një deputet nga partitë opozitare, konkretisht nga Fronti Evropian.
Mbetet e pasigurt nëse në përbërjen aktuale parlamentare Komisioni për Politikë Sociale do të zhbllokohet, pasi LSDM insiston që Ligji I ashtuquajtur për “branitellat” të kalojë në filtrin e komisionit, pas miratimit të nevojës për ndryshimet ligjore në seancën plenare. (koha.mk)