29 November
Shteti synon t’i zbrazë burgjet duke i falur kryerësit e veprave më të lehta penale. Pasi një herë u anulua, Qeveria në seancën e djeshme miratoi propozim -ligjin për amnisti. Si shkak për miratimin e këtij ligji, nga Qeveria e përmendën stërngarkimin e institucioneve ndëshkuese – përmirësuese. Por, në vend që me procedurë urgjente, ligji do të miratohet me procedurë të rregullt dhe do të vlejë për veprat penale të kryera deri më 20 shtator 2017.
Nuk parashihet amnisti për personat me burg të përjetshëm, si dhe personave që kanë kryer veprën penale – vrasje nga Neni 123. Nuk parashihet amnisti për vepra penale nga Kodi penal për zgjedhjet dhe votimet. Nuk parashihet amnisti për vepra penale kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor. Gjithashtu nuk parashihet amnisti për vepra penale kundër shtetit – deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Kjo do të thotë se nëse eventualisht dënohen, amnistia nuk do t’i përfshijë 36 personat ndaj të cilëve Prokuroria publike nisi procedurë për ngjarjet e 27 prillit. Ata dyshohen pikërisht për veprën penale kundër shtetit. Të drejtë për amnisti do të kenë personat të cilëve do t’u shqiptohet aktgjykim i plotfuqishëm deri në ditën kur ligji do të hyjë në fuqi.
Nga dënimi me burg do të lirohen 670 persona të dënuar me vendim të plotfuqishëm të dënuar me burg deri 6 muaj, ndërsa 3097 personave do t’u ulet dënimi për 30% – u shpreh Mile Boshnjakovski , zëdhënës i Qeverisë.
Ulja e dënimit për 30% ka të bëjë me kohën e përgjithshme të tij e jo me kohën e mbetur për vuajtjen e dënimit. Organizatat civile që e nisën këtë amnisti kërkuan që ajo të jetë më e gjerë, ndërsa dënimi i vuajtur në burgun e Shutkës të llogaritet dyfish më shumë nga koha reale e kaluar prapa grilave, por kjo tani për tani nuk planifikohet në ligj. Propozim ligji i Qeverisë duhet të miratohet edhe në Kuvend.
Mirko Trajanovski

