30 October
Në vlerësimet e para pas përfundimit të ciklit të dytë zgjedhorë, liderët e partive politike me qëndrime të ndryshme. Për liderin e LSDM-së Zoran Zaev dhe atë të BDI-së Ali Ahmeti, zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike. Zaev dhe Ahmeti njëzëri procesin e vlerësuan si demokratik. Ahmeti madje theksoi se BDI do të punojë në favor të qytetarëve pavarësisht në cilat komuna do t’i udhëheqë subjekti i tij për katër vitet e ardhshme.
I kuptoj këto momente të vështira dhe të mbushura plot me emocione të cilat i ka kundërshtari ynë politik. Por shpresoj se do t’i mbledhin forcat dhe do të gjejnë arsyen që të sillen si subjekt politik me përgjegjësi, pasi për ta edhe në këto zgjedhje votuan një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, do të përfshihen në proces dhe do të japin kontribut të theksuar në reformat për jetë më të mirë të qytetarëve në Maqedoni -deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
Ata të cilët kanë fituar ndonjë nga Komunat, ne do të jemi dhe do të na provojnë, në ndihmesë po aq sa do të ndihmojnë në Komunat që ka fituar BDI. Këto komuna janë të gjithë qytetarëve. E kemi dëshmuar në të kaluarën dhe do ta dëshmojnë edhe në të ardhmen – tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Lideri i opozitës nga ana tjetër hodhi vrer mbi procesin zgjedhor. Nikolla Gruevski procesin e vlerësoi si jo demokratik, dhe u shpreh se nuk do të njoh rezultatin zgjedhorë. Ndërkohë kërkoi organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare nga një Qeveri teknike.
Për shkak të terrorit brutal që u bë këto ditë, kërcënimet jo njerëzore, presionet brutale, blerjet masovike, për shkak të veprave penale të bëra në zgjedhje dhe në bazë të vendimit të Komitetit Ekzekutiv, VMRO-DPMNE nuk i njeh këto zgjedhje dhe asnjëherë nuk do t’i konsiderojë si zgjedhje të lira dhe demokratike – u shpreh Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela i cili humbi betejën në Strugë, akuzoi kryeministrin Zoran Zaev për veprim kundër vullnetit të shumicës. Sela kërkon që BDI-në ta sfidojë në zgjedhje parlamentare.
Zoran Zaev e ka thelluar akoma më tepër ndarjen në Strugë. Nëse vazhdimisht është thirrur në bashkëjetesë ai ka bërë të kundërtën, ka shkuar kundër vullnetit të shumicës. Në esencë demokracia është vullnet shumice dhe shumica në Strugë është shqiptare – theksoi Zijadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Edhe Lëvizja Besa kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky subjekt procesin zgjedhorë e vlerësoi si anti-shqiptarë, duke akuzuar BDI-së për shkrirje në LSDM.
U bashkuan Zaev, Boshkovski, Zeqeviqi e UDBA-sh të tjerë që t’ua sigurojnë fitoren BDI-së. Kjo ndodhi në këto zgjedhje. Prandaj ne i bëjmë ftesë LSDM-së maqedonase dhe degës së saj shqiptare që sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare – tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Rezultatet zgjedhore nuk i komentoi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, partia e të cilit në zgjedhje lokale siguroi fitore vetëm në Komunën e Studeniçanit.
Adrian Kerimi

