Lëvizja BESA ka mbajtur konferencë për gazetarë, ku kanë theksuar se atmosfera e përgjithshme ka qenë mjatf e tensionuar. Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu ka thënë se janë regjistruar parregullsi të shumta, të cilat janë paraqitur tek institucionet vendase e ndërkombëtare dhe po përgatiten padi për këto raste.
“Persona që janë paraqitur si policë e kanë ndalur aktivistët e BESËS, ua kanë marrë letërnjoftimet dhe më pas në stacionin policor u është bërë presion që t’i ndryshojnë deklaratat. Policia speciale është futur në shtëpinë e kryetarit të nëndegës së Serovës duke i bërë presion atij dhe familjes.
Në një shkollë një aktivist i BDI-së dhe LSDM-së ia ka ofruar një komisioneri të BESËS shumën prej 1000 euro që ta braktisë vendvotimin. Në Malësinë e Tetovës, Studeniçan e Saraj është ndalur rryma, duke u tentuar që të bllokohet procesi i votimit. Në Llokë një aktivist i BESËS është kërcënuar me likuidim, në fshatin Llaskarcë është bërë tentim për të prishur vendvotim. Në shumicën e lokalitteve ka pasur tentime për blerje të votave”, ka thënë Fazliu.
Ai ka theksuar se këto parregullsi e prishin imazhin e këtyre zgjedhjeve, duke dëshmuar se qeveria aktuale nuk është e zonja të organizojë zgjedhje plotësisht të lira. Sipas tij, për këtë imazh ka kontribuar sidomos kryeministri Zaev, i cili duke u rreshtuar përkrah kandidatëve të BDI-së. /SHENJA/

