“Sulmi i sotëm ndaj zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti është edhe një dëshmi tjetër se sa pak i duhet LSDM-së për të treguar fytyrën e saj të vërtetë, një parti e mbetur në të kaluarën, e cila nuk mund të çlirohet nga trashëgimia e përçarjeve, manipulimeve dhe drejtësisë selektive”, – thuhet në reagimin e LD-së, ndaj akuzave të LSDM-së për skandalin korruptiv në Qeveri ku, sipas tyre, implikohet Zv/Kryeministri Mexhiti dhe Kabineti i tij.
Reagimi i LD-së:
LD-ja nuk do të lejojë të heshtet! Ne do të vazhdojmë të punojmë në interes të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që LSDM-ja merret me akuza boshe, LD-ja investon në infrastrukturë, arsim dhe zhvillim ekonomik. Ndryshimet e vërteta nuk vijnë nga ata që për dekada kanë abuzuar me pushtetin, por nga forcat e reja që sjellin rezultate reale.
I bëjmë thirrje LSDM-së të ndalojë sulmet mbi baza etnike, sepse kjo vetëm tregon se politika e tyre është e vjetëruar dhe e bazuar në përçarje. Maqedonia e Veriut nuk është shtet i elitave të privilegjuara, por i të gjithë qytetarëve të saj! Izet Mexhiti vepron sipas ligjit dhe do të vazhdojë të punojë kështu, në interes të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.