Problemet me akomodimin studentor në konvikte prej vitesh janë kthyer në një ndër sfidat më të mëdha për studentët që studiojnë larg vendbanimit të tyre. Çdo fillim viti akademik shoqërohet me të njëjtat shqetësime si mungesë vendesh në konvikte, objekte në rikonstruksion, lista pritjeje dhe qira të papërballueshme në kryeqytet. Për shumë studentë, sigurimi i një shtrati në konvikt nuk shihet më si një e drejtë e garantuar, por si një garë mes kapaciteteve të kufizuara dhe kostove gjithnjë e më të larta të jetesës, shkruan gazeta KOHA.
Një situatë e tillë u pa edhe vitin e kaluar, kur mijëra studentë rrezikuan të mbeteshin pa akomodim për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe mbylljes së disa konvikteve për renovim. Nga gjithsej 4.264 vende të shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kapaciteti real i shtretërve ishte dukshëm më i ulët, ndërsa dy nga konviktet më të mëdha në Shkup, “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe pjesë të “Stiv Naumov”, mbetën jashtë funksionit për shkak të rikonstruksionit. Në të njëjtën kohë, studentët u përballën edhe me çmime të larta të banesave private në Shkup, të cilat në lagjet pranë universiteteve arrinin deri në 300 apo 350 euro për një banesë me një dhomë. Për shumë familje kjo përfaqësonte një barrë të papërballueshme financiare, ndërsa për një pjesë të studentëve ekzistonte rreziku real për ndërprerje të studimeve.
FRIKA NGA KOSTOT MË TË LARTA NË KONVIKTET E RINOVUARA
Tani, shqetësimet janë rikthyer edhe më fuqishëm pas ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Standardin Studentor, të cilat parashikojnë kategorizimin e konvikteve në Tip 1 dhe Tip 2, si dhe ndryshim në mënyrën e financimit të akomodimit dhe ushqimit për studentët.
Sipas modelit të ri, për konviktet e Tipit 1, objektet e rinovuara dhe energjetikisht efikase, shteti do të mbulojë nga 50 për qind që ishte më parë, në 40 për qind të kostove, ndërsa pjesën tjetër do ta paguajnë vetë studentët. Për konviktet e Tipit 2, mbulimi shtetëror mbetet deri në 50 për qind, si më parë. Pikërisht kjo ka ngritur frikën se konviktet e rinovuara, të cilat pritet të ofrojnë kushte më të mira, mund të bëhen të papërballueshme për një pjesë të studentëve.
Shqetësimet janë edhe më të mëdha për konviktin studentor “Pelagonia” në Shkup, ku akomodohen rreth 900 studentë. Studentët që jetojnë aty thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me çmimet ose mënyrën e re të pagesës, por lajmet për ndryshimet kanë krijuar pasiguri dhe ankth për vitin e ardhshëm akademik.
Një studente nga Kumanova, e cila aktualisht banon atje, për gazetën KOHA thotë se studentët kanë frikë se me modelin e ri nuk do të arrijnë t’i përballojnë shpenzimet. “Ne ende nuk kemi ndonjë informacion zyrtar, vetëm kemi dëgjuar se mund të ndryshojnë çmimet pas renovimeve dhe ligjit të ri. Shumë studentë janë të shqetësuar sepse edhe tani mezi e përballojnë jetesën në Shkup. Nëse rriten çmimet në konvikte, një pjesë e madhe nuk do të ketë mundësi të vazhdojë të jetojë aty”, thotë ajo, duke shtuar se alternativa e banesave private është pothuajse e paarritshme për shumicën e studentëve, ndërsa edhe udhëtimi i përditshëm paraqet barrë të rëndë financiare.
“Banesat private janë shumë të shtrenjta. Me çmimet që janë tani në Shkup, shumica e studentëve nuk mund t’i përballojnë. Edhe transporti është problem. Unë vij nga Kumanova dhe vetëm një drejtim kushton rreth 170 denarë. Nëse duhet të udhëtoj çdo ditë, shpenzimet do të jenë shumë të mëdha. Nëse mbetem pa vend në konvikt vitin e ardhshëm, realisht nuk e di si do t’ia dal”, deklaroi ajo.
NDRYSHIMET DO TË NDIKOJNË DREJTPËRDREJT TE STUDENTËT
Shqetësime të ngjashme kanë ngritur edhe nga iniciativa studentore Studentarija, nga ku thonë se ndryshimet nuk janë vetëm administrative, por do të ndikojnë drejtpërdrejt në shumën që studentët do të paguajnë për akomodim dhe ushqim. “Ky ndryshim nuk është vetëm administrativ, por do të ndikojë drejtpërdrejt në shumën që paguajnë studentët”, deklaruan nga Studentarija, duke paralajmëruar se studentët e akomoduar në konviktet e rinovuara do të paguajnë më shumë sesa ata që jetojnë në objektet e parinovuara.
Sipas tyre, problematik mbetet edhe fakti se ndryshimet po kalojnë me procedurë të shkurtuar, pa debat më të gjerë publik, megjithëse ndikojnë drejtpërdrejt në standardin studentor. Përveç ndryshimeve në konvikte, ligji parashikon edhe ndryshim në modelin e bursave studentore, ku përqindja e bursave për kategoritë sociale ulet nga 49 në 40 për qind, ndërsa rritet numri i bursave për programe studimore që shteti i konsideron strategjike. Gjithashtu, ndryshimet parashikojnë edhe heqjen e mbështetjes financiare deri në gjashtë mijë denarë për studentët që nuk arrijnë të sigurojnë vend në konvikt dhe detyrohen të jetojnë në banesa private ose të udhëtojnë.
Përkundër shqetësimeve të ngritura nga studentët dhe organizatat studentore, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, nuk ktheu përgjigje për gazetën KOHA, edhe pse redaksia e kontaktoi që një ditë më parë lidhur me ndikimin që ndryshimet e propozuara mund të kenë mbi standardin studentor dhe mundësinë që një pjesë e studentëve të mos arrijnë t’i përballojnë kostot e reja.
Ndryshe, ministrja e MASH-it, Vesna Janevska, deklaroi në muajin mars se nga 1 tetori pritet të fillojë akomodimi i studentëve në konviktet e rindërtuara “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski-Pitu”, ndërsa më pas do të nisë edhe renovimi i konvikteve të tjera studentore në vend.


