Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar sërish lidhur me drejtorin e NOMAGAS-it, Nedim Rama, duke ngritur dyshime mbi prejardhjen e kapitalit dhe pasurisë së tij, si dhe duke kërkuar hetim institucional për aktivitetet e tij afariste.
Në një kumtesë për media, BDI deklaron se informacionet e reja që posedon “hapin pyetje serioze” dhe përbëjnë bazë të mjaftueshme që institucionet kompetente të hetojnë prejardhjen e kapitalit dhe pasurisë së Ramës.
Sipas opozitës, në qendër të dyshimeve është kompania LINE LTD DOO Shkup, për të cilën pretendohet se është në pronësi të Nedim Rama dhe të Anid Shazivari, i identifikuar nga BDI si donator i koalicionit VLEN. Kompania, sipas reagimit, operon në sektorin e automjeteve me qira dhe figuron në listën zyrtare të kompanive rent-a-car në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
BDI kërkon sqarime publike mbi burimin e financimit të biznesit dhe vlerën e automjeteve në pronësi të kompanisë.
“E pyesim Nedim Ramën: me çfarë kapitali dhe nga cilat burime janë siguruar mjetet për blerjen e këtyre automjeteve dhe sa është vlera e tyre?”, thuhet në reagim.
Partia opozitare pretendon gjithashtu se aktiviteti afarist i lidhur me Ramën përfshin edhe prona luksoze në Mavrovë. Sipas BDI-së, kontrolli në të dhënat e Kadastrës ka treguar se dy apartamente lidhen me emrin e tij — njëri në pronësi personale dhe tjetri në pronësi të kompanisë LINE LTD DOO Shkup.
Në reagim përmendet edhe Lirim Hajredini, i cili sipas BDI-së figuron si bashkëpronar në njërën prej pronave, me pjesë ideale prej gjysmës së pronës së përbashkët me Ramën.
BDI ngre dyshime mbi përputhshmërinë mes funksionit publik të Ramës dhe pasurisë së deklaruar, duke pyetur se si një funksionar shtetëror ka arritur të krijojë kapital për flotë automjetesh dhe prona të paluajtshme me vlerë të lartë.
Në të njëjtën kohë, opozita e lidh çështjen edhe me dimensionin politik, duke përmendur emrin e Izet Mexhiti dhe duke kërkuar transparencë mbi lidhjet e mundshme politike dhe biznesore.
“Opinioni ka të drejtë të dijë nëse Nedim Rama vepron si individ apo është pjesë e një rrethi më të gjerë ndikimi dhe interesash”, thuhet në reagim.
BDI u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të verifikojnë gjendjen financiare dhe pasurore të drejtorit të NOMAGAS-it. “Prandaj i bëjmë thirrje Drejtorisë së Policisë Financiare, Prokurorisë Themelore Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të kryejnë një kontroll të detajuar të prejardhjes së kapitalit, rrjedhave financiare dhe gjendjes së përgjithshme pasurore”, thekson partia. Në fund, BDI nënvizon se transparenca duhet të vlejë për të gjithë funksionarët publikë pa dallim. “Qytetarët kanë të drejtë për përgjigje. Transparenca nuk guxon të jetë selektive, sidomos kur bëhet fjalë për funksionarë publikë. Duhet të ketë përgjegjësi për çdo denar, për çdo investim dhe për çdo pasuri që del në opinionin publik”, përfundon reagimi i BDI-së.

