Gjatë këtij viti pritet të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, mëson Radio Evropa e Lirë.
Vendimi për tarifa të reja pritej të merrej më 1 prill, por Zyra e Rregullatorit të Energjisë e shtyu këtë vendim deri më 1 maj.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat rëndom shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.
Rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
KESCO kërkoi rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.
Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), është thënë në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.
Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.
Arsye tjetër në dokument është përmendur edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.



