“Në të ardhmen deputetët në Kuvend duhet të diskutojnë jo vetëm për të drejtat primare, por edhe ato sekondare dhe terciare të fëmijëve”, ishin këto porositë që dhanë përfaqësuesit e Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” dhe Koalicioni “SEGA”, në konferencën e sotme për shtyp.
Sipas një raporti për përfaqësimin e të drejtave të fëmijëve në punën e Kuvendit gjatë periudhës prej janarit deri më 31 gusht të këtij viti, në gjithsej shtatë seancat parlamentare të përfunduara, fëmijët dhe të drejtat e tyre janë diskutuar në mënyrë indirekte. Kryetari dhe themeluesi i Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac, apeloi deri tek deputetët e Kuvendit të Maqedonisë që në të ardhmen të vendosin theksin edhe për të drejta të tjera të fëmijëve.
DRAGI ZMIJANAC, KRYETAR I “MEGJASH”-IT
“Jemi në bisedime intensive me Ministrinë e Arsimit dhe në fazën përfundimtare është një draft version i cili i është dorëzuar ministres, me anë të të cilët fëmijët më në fund do të kenë mundësi të krijojnë ndryshimet dhe plotësimit e Ligjit për shkollë të mesme, do të thotë të praktikohet pjesëmarrja e fëmijëve, sepse mendojmë se fëmijët duhet me anë të formave të ndryshme të organizuara të jenë pjesëmarrës aktivë, të tregojnë mendimin e tyre dhe të mos lejojnë askënd që në emër të tyre t’i përfaqësojë dhe luftojë për të drejtat e tyre”.
Ndërkaq, Zoran Ilioski nga Koalicioni “SEGA” tha se gjatë përgatitjes së Raportit është ndjekur sjellja e vendimmarrësve dhe krijuesve të politikave në Kuvend, përmes të cilave dëshirojnë të ndikojnë që ta vendosin sa më lartë në agjendë sjelljen e ligjeve ose akteve të tjera për avancimin e të drejtave të fëmijëve.
Prezantimi i raportit për përfaqësimin e të drejtave të fëmijëve në punën e Kuvendit të Maqedonisë u realizua në kuadër të programit “Zbatimi i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës në Maqedoni”, i cili zbatohet nga Koalicioni i Organizatave Rinore “Sega”, Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi” dhe Forumi rinor arsimor. /Emine Ismaili

