Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi Muçaj, ka dërguar një sinjal të fuqishëm për afrimin me partinë e parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjen Vetëvendosje. Në një takim të befasishëm me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kabashi-Muçaj ka hapur diskutimin mbi mundësitë e bashkëpunimit politik.
Kabashi-Muçaj, e shoqëruar nga asistenti i saj Islam Qerimi, është takuar me Kurtin në objektin e Qeverisë të hënën rreth orës 20:00, sipas burimeve të Gazetës Online Reporteri.net. Ky takim ka ngritur shumë pikëpyetje në skenën politike, veçanërisht në kontekstin e tensioneve mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Fillimisht, deputetja e LDK-së mohoi takimin me Kurtin, duke thënë, “Jo, as s’kam pasur takim, as nuk ka të bëjë me votën për, s’ka votë prej meje.” Megjithatë, pas pyetjeve të insistuara nga media, ajo shmangu përgjigjen dhe nuk e konfirmoi zyrtarisht takimin, megjithatë theksoi se nuk kishte një votë individuale pro Kurtit, duke e lënë në hije qëndrimin e saj politik.
Takimi është një reflektim i situatës së tensionuar në Kuvendin e Kosovës, ku LDK-ja po përballet me kritika të brendshme për qëndrimin e saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Kabashi-Muçaj, emri i së cilës është përfolur si një potencial “tradhtar” i LDK-së, ka filluar të bëjë thirrje për një reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.
Ajo kishte shprehur shqetësim për situatën aktuale, duke theksuar se “asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit.” Këto fjalë kanë rritur frikën në radhët e LDK-së dhe veçanërisht në drejtimin e saj, në lidhje me atë se si do të kenë ndikim bashkëpunimet e mundshme me partinë tjetër.
Kabashi-Muçaj ka kritikuar ashpër ngërçin në Kuvend, duke thënë se është e padrejtë që barra e zhbllokimit t’i lihet vetëm një partie politike. “Çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për ta çuar vendin përpara është e përbashkët,” tha ajo.
Pas takimit, Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë një përgjigjje nga Qeveria përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit. Po ashtu, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se nuk ka informacione për këtë takim, megjithatë insistoi se do të interesohet më tej.
Komente të ngjashme janë bërë edhe nga nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila konfirmoi se disa deputetë të partisë së saj ishin kontaktuar nga VV për votat e tyre. “Nuk është hera e parë që VV akuzohet për peshkim të deputetëve, sidomos kur ndodhen në situata kritike dhe të tensionuara si kjo,” tha ajo.
Politika e Kosovës po kalon përmes një periudhe delikate, me tensione dhe ndarje të thella mes partive. Takimi mes Kabashi-Muçaj dhe Kurtit është një tjetër tregues se skenat politike janë në një dinamikë të vazhdueshme, dhe çdo lëvizje në këtë drejtim mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit.