Si rezultat i migrimit në masë të madhe në botën Perëndimore, por edhe për shkak të uljes së lindshmërive, ka rënë numri i nxënësve në shumë shkolla të komunave, në Maqedoni. Kjo dukuri, ka ngritur shqetësim, te drejtorë të shkollave, por edhe deri tek Ministria e Arsimit.
Kreu i ministrisë së arsimit Renata Deskoska, ka shprehur shqetësim se shumë nga familjet marrin rrugët e mërgimit dhe kjo pakëson numrin e nxënësve në shkollat fillore, por edhe ato të mesme. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar, në Maqedoni, Nuhi Dardhishta, ngre shqetësimin se në vendin tonë nuk ka kushte adekuate, në shkolla. Ai tregon realitetin e shumë familjeve shqiptare, ku prindi, për të siguruar të ardhura, merr rrugën për jashtë shteti. Duke parë se kushtet në vendet e perëndimit, janë në nivel të duhur, ai detyrohet të tërheq familjen drejt vetvetes.
“Lind pyetja, pse largohen ato, jo vetëm gjendja ekonomike, por shteti nuk është i gatshëm të mbrojë e ndihmojë qytetarin e vet. Kur një prind nuk ka mundësi t’i plotësojë kushtet e fëmijës, për në shkollë. Ne jemi vetë dëshmitar që shumë prindër detyrohen të dalin jashtë shteti, të punojnë, për të nxjerr të ardhura më të larta. Ai kur e sheh çfarë kushte e civilizim ka jashtë, dhe kur e krahason me kushtet e vendit të tij detyrohet që familjen ta merr me vete, ku atje edhe u mundësohet kushte më të mira për arsimimin e fëmijëve”, tha Nuhi Dardhishta nga LASH, për Almakos.
Dardhishta, shton se shpërngulja e shumë qytetarëve nga Meqedonia drejt vendeve Evropiane, vjen si shkak i kushteve të pavolitshme për jetesë, dhe kushteve në shkollën ku prindërit i drejtojnë fëmijët.
“Kushtet e dobëta në arsim, nxisin shpërnguljen e shumë familjeve dhe nxënësve, për studime të mëtejshme. Ne kemi shembuj në edukatën fizike, ku nuk i mundësohet nxënësit pajisjet bazike. Kushtet pra, janë gjëja bazike në shkollë dhe në përgjithësi, në arsim”, tha Dardhishta nga LASH, për Almakos.
Nga Ministria e Arsimit, Renata Deskoska, për mediat në vend, deklaroi se trendi i rënies së numrit të nxënësve dhe fëmijëve në Maqedoni është shqetësues. Ajo vuri në dukje se problemi ekzistues janë kushtet e pa përshtatshme, në shkolla dhe tha se bëhet përpjekje për përmirësimin e së njejtës, për një arsim cilësor.
“Për fat të keq vërehet rënie e numrit të fëmijëve, të cilët regjistrohen edhe në arsimin e mesëm edhe krahas asaj që arsimi i mesëm është i obliguar, që tregon në trendin, i cili ka ekzistuar në zhvendosjen e të rinjve nga Republika e Maqedonisë, familjet me fëmijë në procesin arsimor. Shpresojmë se procesi i zhvendosjes së të rinjve do të ndalojë. MASH-i do të ndërmarrë reforma, të cilat do të thonë kthim të cilësisë së arsimit dhe bërjes së sistemit arsimor në Maqedoni, tërheqës për nxënësit si do të qëndronin këtu dhe do ta vazhdonin arsimin e tyre”, deklaroi Deskoska, nga MASH.
Zvogëlimi i numrit të nxënësve në shumë komuna, me ritme të shpejta, filloi të bëhet prezent dekadës së kaluar, si rezultat i migrimit në masë të madhe të qytetarëve të Maqedonisë, në botën perëndimore.
Delvina Kërluku
Almakos.com

